Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka pretenduar se gjatë qeverisjes në të cilën ai mori pjesë, “28 shtete e tërhoqën njohjen e Kosovës” dhe se për 11 vjet ka rezistuar me sukses që të mos e njohë Kosovën.
Vuçiqi, duke bërë fushatë parazgjedhore, ka thënë se Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008 në kohën e disave që sot do të dëshironin të ktheheshin në pushtet në Serbi dhe të cilët, sipas fjalëve të tij, sot po “përgatiten për luftë”.
“Ata duan të përgatiten për luftë ndërsa ne kemi nevojë për paqe dhe stabilitet”, ka thënë Vuçiq.
Ai ka shtuar “se shumë njerëz nuk e duan të mirën Serbisë” dhe se ky bosht është “në Prishtinë dhe Zagreb, të cilëve herë pas here u bashkohet edhe Sarajeva”
Ai ka thënë se opozita nuk ka program as për Kosovën, as për shumë çështje të tjera dhe se i gjithë programi i tyre bazohet, siç tha ai, në “përmbysjen e Vuçiqit”.
Ai ka pretenduar se “disa deputetë të Parlamentit Evropian gjoja vijnë këtu dhe flasin se si i dëshirojnë të mirën Serbisë kur e kritikojnë” dhe ka vazhduar se “duhet të publikohen deklaratat e tyre për Serbinë dhe Kosovën, në mënyrë që njerëzit të shohin se çfarë mendojnë ata realisht”.







