Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha në Bruksel se Beogradi do të përgjigjet “seriozisht” nëse Kosova aplikon për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Përpara darkës joformale me liderët e Ballkanit Perëndimor, të organizuar dy herë në vit nga kreu i diplomacisë evropiane, Vuçiq tha se “është e qartë se disa njerëz po punojnë për të destabilizuar të gjithë rajonin dhe Serbisë”, raporton mediumi serb N1.
“Është e qartë se disa njerëz po punojnë për të destabilizuar të gjithë rajonin, për të destabilizuar Serbinë. Do të flas për këtë më në detaje pas takimit sonte. Do të jetë interesante të shohim se kush do t’i mbështesë për një gjë të tillë dhe ne do të përgjigjemi seriozisht dhe me përgjegjësi dhe do ta mbrojmë fuqishëm vendin tonë”, tha Vuçiq.







