Presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaroi në mbledhjen e Partisë Përparimtare Serbe se kanë mbetur edhe pesë ditë deri në “përpjekjen e tyre për revolucion” dhe përmbysjen e rendit kushtetues, që është një nga krimet më të rënda në Serbi.
“Kërkesa kryesore pas marrjes së institucioneve do të jetë formimi i një lloj qeverie tranzitore. Ata nuk mund ta rrëzojnë presidentin, sepse e dinë se kjo do t’i sjellë në konflikt me ushtrinë dhe gjithçka tjetër”, tha Vuçiq, transmeton Ballkani.info.
Ai ka vlerësuar se plani i vetëm është që ta marrin Kuvendin e Serbisë dhe Radiotelevizionin e Serbisë, ndërsa presidencën nuk mund ta marrin, por do ta “rrethojnë” dhe do ta detyrojnë të nënshkruajë qeverinë kalimtare, por nuk do të kenë sukses.
Vuçiq ka thënë se “përderisa është gjallë” nuk do të pranojë asnjë qeveri tranzitore, se “do të duhet ta vrasin” dhe se ky është zotimi i tij dhe se “nuk do t’ua dorëzojë vendin mashtruesve”, gjë që u prit me ovacione dhe duartrokitje, transmeton N1info.rs.
Ai ka paralajmëruar se sonte do të flasë në emisionin informativ të Radiotelevizionit të Serbisë, nëse, siç ka thënë ai, nuk i pengohet një gjë e tillë. /Ballkani.info/







