Vuçiq: Nuk kam folur për njohjen, kjo nuk është tema ime

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka sqaruar deklaratat e tij të fundit rreth njohjes së Kosovës në një intervistë për ANSA.

Ai me këtë rast ka sqaruar se nuk ka folur për njohjen e Kosovës.

“Unë nuk e di se kush çka ka transmetuar. Unë nuk thashë asgjë për njohjen, përveç se thashë se nuk kemi zgjidhje kompromisi”, tha Vuçiq në një konferencë shtypi pas takimit me kryeministrin italian Guissepe Conte, i pyetur nga mediat nëse kishte thënë se Serbia do ta njohë Kosovën, siç transmetoi ANSA.

“Nuk mund të flas për këtë dhe për shkak se nuk kemi zgjidhje kompromisi, nuk mund të flas, por unë nuk jam dikush që mund të largojë askënd nga tema për bisedime”, citoi Vuçiq pjesën e intervistës në gjuhën serbe. Lansimi i kësaj teme, sipas tij, është në interes të shqiptarëve nga Kosova dhe patriotëve të rremë serbë.