Vuçiq kritikon BE-në për mungesën e hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka kritikuar Bashkimin Evropian për mosmiratimin e kuadrit negociues për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Cila do të jetë e ardhmja për të gjithë ne? Shikoni Maqedoninë e Veriut, ata ndryshuan emrin e shtetit të tyre dhe iu premtua se do të hapeshin negociatat? Morën gjë? Jo, nuk morën asgjë. Sot është pengesë Bullgaria, nesër do të jetë dikush tjetër. Dhe pastaj i thonë Shqipërisë që nuk po i hapim negociatat se s’duam t’iu ndajmë nga Maqedonia e Veriut. I thonë dhe Serbisë që keni bërë progres, por mund të bëni dhe më mirë. Unë nuk po qaj për ndihmë, po them atë që është e vërtetë dhe prandaj ne po bëjmë më të mirën për t’u afruar me njëri-tjetrin, të mbajmë paqen në rajon, që jo gjithmonë është e lehtë”, deklaroi Vuçiç nga Forumi Strategjik për të ardhmen e Evropës, në Bled të Sllovenisë, ku janë të pranishëm edhe kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka.

Në fokus të forumit është ardhmja e Evropës dhe planifikimi për përgjigje efektive ndaj sfidave aktuale, ku vendin kryesor do ta mbajë pandemia e koronavirusit. Zyrtarisht është bërë me dije se temat që do të diskutohen ditën e parë të Forumit do të përfshijnë rimëkëmbjen pas pandemisë, transformimin e gjelbër dhe dixhital dhe të ardhmen e procesit të zgjerimit të BE-së.