Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka deklaruar sot se ka guxim politik t’i zgjidhë marrëdhëniet me Kosovën dhe se “do të ketë paqe derisa dikush nuk i sulmon fizikisht serbët në Kosovë”.
Vuçiq: Kam guxim të vendosë për marrëdhëniet me Kosovën
“Paqe do të ketë derisa dikush nuk i sulmon fizikisht serbët dhe të fillojë t’i vrasë ata, këtë nuk do të kisha mundur të duroj”, ka thënë Vuçiq.
Vuçiq ka thënë për televizionin serb “Përva” se ai e ka marrë përsipër zgjidhjen e këtij problemi në lidhje me marrëdhëniet me Kosovën si punë të vet, dhe se Qeveria e Serbisë e ka autorizuar të negociojë.
“Unë e di se çfarëdo zgjidhje të propozosh, nuk do ta kesh shumicën në Serbi”, ka thënë Vuçiq dhe ka shtuar se “nuk e di se cila është zgjidhja e kësaj çështjeje, dhe se kurrë nuk do të ketë përkrahje të mjaftueshme”.
Ai ka theksuar se Beogradi dhe Prishtina në këtë moment nuk kanë zgjidhje dhe se, me siguri, nuk do të ketë për shkak të interesave të ndryshme të faktorëve të jashtëm.
Sipas fjalëve të tij, në marrëdhëniet me kosovarët nuk ka konflikt të ngrirë, “sepse ata duan konsolidim të plotë të shtetit të tyre të cilën e kanë krijuar në vitin 2008”.
I pyetur a ka ai ndonjë plan për Kosovën, është përgjigjur se ka dhe se do ta shpalosë kur e pranojnë edhe disa tjerë, dhe në pyetje kush duhet ta pranojë, ai ka thënë, para se gjithëve, shqiptarët.
Duke iu përgjigjur atyre të cilët i bëjnë thirrje ta respektojë Kushtetutën, Vuçiq ka thënë se Serbia në momentin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk ka bërë asgjë, edhe pse themelimi i atij shteti ka qenë kundër kushtetuese.
I pyetur për deklaratën e ministrit serb Nenad Popoviq se angazhohet për kompromis në kuadër të Kushtetutës dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Vuçiq është përgjigjur: “Të lumtë, kështu ishte dashur, por përse këtë nuk e ke bërë në vitin 2008, kur ke qenë nënkryetar i partisë e cila atëbotë ishte në pushtet”







