Vuçiq i reagon Gjermanisë për mbështetjen që i dha Kosovës për në Këshillin e Evropës

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka reaguar për mbështetjen që Gjermania ka shprehur për Kosovën sa i përket anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Në një deklaratë për media, Vuçiq ka thënë se do të ishte më mirë që të heshtë, por përsëri nuk është përmbajtur.

“Do të filloja, nëse më lejoni, në një mënyrë tjetër t’u drejtohem qytetarëve të Serbisë. Ndonjëherë në këto kohë është më e mençur t’i heshtni disa gjëra”, citojnë mediat serbe të ketë thënë presidenti serb në TV Prva.

Vuçiq komentoi edhe thirrjen e ministrave të G7-ës që i kërkuan Serbisë ta harmonizojë politikën e saj me Bashkimin Evropian.

Në anën tjetër ai ka bërë një krahasim mes Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë sa i përket raportit dhe mbështetjes ndaj Kosovës.

“Edhe britanikët sillen më korrekt se gjermanët, të paktën nuk do ta përdorin sëpatën menjëherë”, tha Vuçiq.

Kujtojmë se emisari i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin të shtunën ka deklaruar se Kosova është në zemër të Evropës dhe se i përket Këshillit të Evropës, duke theksuar qëndrimin e qartë se Kosova e ka mbështetjen e plotë të Gjermanisë në këtë proces.