Vuçiq i përgjigjet Haradinajt për deklarimet në Washington Post, nuk e le pa e përmend edhe Thaçin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i është kundërpërgjigjur deklaratave të Ramush Haradinajt, i cili në një opinion të publikuar në The Washington Post, u shpreh se Serbia i ka ofruar Kosovës njohjen e pavarësisë në këmbim të një pjese të territorit të Kosovës.

Madje, Haradinaj ka thënë se Serbia është e mbështetur nga Rusia për këtë plan. Por, Vuçiq ka thënë se serbët janë krenar për miqësinë e tyre me Rusinë.

“Unë kam gjëra më të mira për të bërë. Ata përmendin rusët sa herë që e sulmojnë Serbinë. Ne jemi krenar për miqësinë tonë me Rusinë. Por kam një gjë për të thënë: nuk e di pse Hashim Thaçi po vrapon pas Vladimir Putinit në Paris dhe gjetiu”, u shpreh Vuçiq.

Vuçiq deklaroi se do të ishte “mirë nëse ata do të shprehnin cili është qëndrimi i tyre ndaj Rusisë”.

Megjithatë, Vuçiq deklaroi se një kompromis dhe një marrëveshje paqësore mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte zgjidhja më e mirë.