Vuçiq i ofron Ukrainës dhe Rusisë që bisedimet e paqes t’i zhvillojnë në Serbi

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i ofroi sonte Rusisë dhe Ukrainës që të negociojnë në Beograd.

Këtë e tha Vuçiq në programin e Televizionit Happy, përcjellë Demokracia.com.

Presidenti i Serbisë tha se Sergei Lavrov nuk ka thënë se Beogradi do të jetë vend për paqe, por se do të jetë vend i mirë për këtë.

“Ne duam që paqja të vijë sa më shpejt dhe nëse dikush mendon se Beogradi është një vend i mirë për këtë, ne do të jemi të lumtur t’ua ofrojmë atë miqve tanë nga Ukraina, por edhe nga Rusia”, tha Vuçiq.

“Nuk na shqetëson, nëse duan të negociojnë në Beograd, nuk do të na pengojë. Unë kam biseduar me Lavrovin shumë herë, ai kupton gjithçka mirë. Ashtu si ambasadori Bocan-Kharchenko dhe ambasadori ukrainas Oleksandr Alexandrovich. Ata e kuptojnë Serbinë dhe marrëdhëniet tona të mira. Ata flasin rrjedhshëm serbisht. Ne nuk kemi një ambasador që flet ukrainisht, për shembull,” tha Vuçiq.

Serbia është i vetmi shtet evropian që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë pas agresionit ndaj Ukrainës.