Tensionet

Vuçiq i ashpër me protestuesit: Edhe 5 milionë po të mblidheni, asnjë kërkesë s’ua përmbushi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është deklaruar lidhur me protestën e mbrëmshme në Beograd.

Ai ka thënë se nuk është i magjepsur me protestat dhe se nuk do të bie pre e presioneve jashtëinstitucionale.

“A dëshiron zgjedhje? Çka po doni? Unë t’ju bëjë ndonjë lëshim juve, me budallalleqet tuaja dhe për ato që angazhoheni, jo kurrë. Nuk e kam bërë as kur keni shëtitur katër muaj. Po ju them që as mendja nuk po më shkon”, ka thënë Vuçiq për gazetarët pas tribunës së SNS-së.

Ai ka shtuar se asnjë kërkesë, kurrë nuk do t’ua përmbushë, transmeton Ballkani.info.

“Mund të mblidhen pesë milionë në mitingje, mundeni vetëm zgjedhjet të keni dhe më pas t’i përmbushni ato që popullit i është premtuar. Unë nën presione nuk dua të punojë dhe për këtë dalloj nga të gjithë të tjerët”, ka thënë ai.

Sipas tij, Serbia është shtet ku secilit i lejohet të thotë çfarë mendon apo dhunuesit asnjëherë nuk do të fitojnë.

Në protestë, thotë ai, i kanë ftuar në rrugë njerëzit më të rrezikshëm dhe më të dhunshëm.

Dëshirojnë, thotë ai, të flasin për dhunë, kurse pushteti i ka arrestuar sulmuesit e Borko Stefanoviqit.

Vuçiq ka thënë se të gjithë e kanë të qartë se bëhet për protestë opozitare, e jo qytetare.

Sipas tij, në protestë mbrëmë nuk kishte më shumë se 10 mijë vetë, mirëpo sipas organizatorëve kanë qenë dhjetëra herë më shumë se aq.

Mbrëmë në Beograd u organizua protestë madheshtore kundër dhunës së pushtetit të Vuçiqit, pasi njerëzit e partisë së tij ditë më parë e përgjakën Borko Stefanoviqin, njërin nga liderët e opozitës në Serbi. /Ballkani.info/