Vuçiq flet për takimin e Thaçit me Putinin, duket se i ka mbetur hatri në “vëllaun” rus

“Nuk jemi të ngazëllyer me secilën fotografi, por secili e ka politikën e vet dhe pozicionin, ashtu siç e ka edhe Serbia”, ka thënë sot presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i pyetur për fotografitë nga Parisi ku presidenti rus, Vladimir Putin dhe presidenti kosovar, Hashim Thaçi i shtrenguan duart.

“Thaçi mund ta ndjek Putinin sa të dojë, por nuk do të merr mbështetje për asgjë pa pajtimin e Serbisë”, ka thënë Vuçiq në konferencë për gazetarë dhe ka shtuar se Kosova dhe Serbia janë shumë larg një qëndrimi të përbashkët.

Ai është dukur se i ka mbetur hatri në Putinin pas takimit me Thaçin, sepse zakonisht është thirrur në miqësinë dhe vëllazërinë serbo-ruse, por kësaj here ka qenë fjalë pak dhe ka folur për “politikën” e veçantë të secilit në këtë rast.

Më pas, Vuçiq ka thënë se është i kënaqur me kërkimfaljen e ambasadorit francez në Beograd, Federic Mondoloni, pas “incidentit” në Paris ku presidenti serb u vendos në pjesën dytësore të manifestimit për shënimin e përfundimit të Luftës së Parë Botërorë, kurse Thaçi ishte në mesin e liderëve kryesorë botërorë, shkruan Ballkani.info.

Ndërkohe ai foli edhe për dialogun, duke fajësuar Kosovën për ndërprerjen e dialogut.

“Dialogu me Kosovën do të vazhdojë kur Prishtina të pranojë të sillet në mënyrë të qytetëruar dhe në përputhje me rregullat që vetë i ka pranuar para shumë vitesh”, është shprehur ai.

Ai para gazetarëve deklaroi se Serbia dëshiron dialog.

Duke folur, ndër të tjera, për përpjekjet e Prishtinës që Kosova të bëhet anëtare e Interpolit dhe për përpjekjet e Beogradit që ta pengojë realizimin e këtij qëllimi, Vuçiq tha se “ky është mision thuaja i pamundur , meqë vendet të cilat e kanë njohur Kosovën ndodhen nën trysni të madhe që me rastin e votimit së paku të abstenojnë, në mënyrë që Kosova të marrë më shumë vota që e mbështesin”.

Asambleja e përgjithshme e Interpolit mbahet nga data 18-21 nëntor në Dubai./Ballkani.info/