Vuçiq flet në telefon me shefin e UNMIK’ut, thotë se është i gatshëm të bashkëpunojë me “Prishtinën” në luftën ndaj pandemisë

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se Beogradi është i vendosur të ndihmojë serbët në Kosovë në luftimin e koronavirustit.

Ai ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të plotë edhe me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës në luftën ndaj pandemisë.

Sipas presidencës serbe, Vuçiq shprehu shqetësimin për përhapjen e infeksionit në Kosovë në një bisedë telefonike me shefin e UNMIK-ut, Zahir Tanin, raporton agjencia serbe e lajmeve Beta.

Vuçiq dhe Tanin gjithashtu diskutuan situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë me rastin e seancës së ardhshme të Këshillit të Sigurimit të KB kushtuar raportit të Sekretarit të Përgjithshëm të KB për punën e UNMIK-ut, që do të mbahet përmes video- konferencës gjatë këtij muaji.