Vuçiq dhe Putin sot në telefon, zbulohet për çka do të flasin

Presidenti rus, Vladimir Putin, do të flasë sot në telefon me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, në mes të krizës me Ukrainën dhe presionit ndaj Serbisë për t’i vendosur sanksione Rusisë.

Megjithatë, sipas mediave serbe, tri çështje “më me rëndësi” do të diskutohen sot në këtë telefonatë. Vuçiq ka thënë se për të në bisedën me homologun rus janë të rëndësishme tri gjëra – sasia e gazit, çmimi i gazit dhe siguria e furnizimit.

Marrëveshja aktuale dhjetëvjeçare e gazit midis Serbisë dhe Rusisë skadon brenda dy ditësh.

Biseda telefonike mes tyre është caktuar për sot në orën 11:00

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se iu duhet të sigurojnë energji të mjaftueshme për të mos pasë kufizime.

Ndërkaq, ditët e fundit në Serbi është përfolur se nuk do të paguhet gazi me të njëtin çmim si në marrëveshjet paraprake me Rusinë.

“Kjo varet ekskluzivisht nga pala ruse. Një siguri shumë më e madhe do të na përshtatej”, shtoi Bërnabiq.

Nga ana tjetër, Vuçiq ishe ankuar se po i bëhet trysni e madhe për t’i vënë sanksione Rusisë. Edhe sot ambasadori francez, Pierre Cochard, ia ka kujtuar Beogradit se pritet që të “kuptojë peshën e ngjarjeve” në Europë dhe të harmonizojë politikën e jashtme me të vendeve perëndimore. Cochard në një intervistë për Tanjug, i ka bërë me dije Serbisë se vendet kandidate për në BE janë zotuar se do të harmonizojnë politikën e tyre të jashtme me BE-në dhe se kjo është diskutuar edhe para luftës në Ukrainë, por që siç thotë ai, çështja është bërë edhe më e ndjeshme me agresionin e Rusisë në Ukrainë.