Presidenti i Serbisë, Alekandër Vuçiq, në një intervistë për prestigjozen britanike “Financial Times” të hënën, ka thënë se përkundër që rreth 90 për qind e serbëve janë pro rikthimit të Donald Trumpit në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), ky vetë nuk guxon të marrë anë meqë “nuk është lider aq i madh” krahasuar me pjesën tjetër të liderëve evropianë.
“Unë nuk jam një lider aq i madh sa shumë të tjerë në Evropë që anojnë. Miku im Viktor [Orbán], ai është 100 për qind në anën e Trumpit, ndërsa miqtë e mi në Bruksel, ata janë 100 për qind në anën e [Joe] Bidenit. Unë nuk jam. Unë jam në anën serbe në pritje të rezultateve”, ka thënë ai.
“Kam pasur biseda të mira me Bidenin para se të bëhej president. Pas kësaj e takova një herë, dy herë në pritje për dy minuta, por jo biseda thelbësore. Nëse pyetni shumicën e serbëve, rreth 90 për qind do të jenë në anën e Trumpit”, ka shtuar ndër të tjera presidenti i Serbisë.







