Serbia ka degraduar Petar Petkovic drejtorin e të ashtuquajturës “Zyrës për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë.

Petkovic është emëruar në këtë pozitë në muajin 8 Tetor 2020, ndërsa me një vendim të nënshkruar me 13 Janar 2022 nga Kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabic atij i është vazhduar mandati vetëm edhe për 3 muaj.


Ky vendim besohet se vjen si rezultat i pakënaqësisë së Presidentit të Serbisë Aleksander Vucic me punën e Petar Petkovic dhe të ashtuquajturës “Zyrës për Kosovë” e cila ka dështuar vazhdimisht për të minuar shtetësinë e Kosovës, pasi që institucionet e Republikës së Kosovës, e kanë dekonstruktuar para bashkësisë ndërkombëtare rolin destabilizues të së kësaj zyre.


Vendimi i institucioneve të Republikës së Kosovës, për moslejimin e mbajtjes së referendumit ilegal të Serbisë në territorin e Kosovës, e ka diskredituar Presidentin e Serbisë Aleksander Vucic dhe retorikën e tij para serbëve, i cili tani po mundohet të rikuperohet me vendime të tilla që fajin dhe dështimin e tij ta bart tek zyrtarët tjerë si Petkovic.


Për më tepër degradimi i Petar Petkovicit shihet si presion dhe “kërcënim” i drejtpërdrejtë për të nga Presidenti Vucic para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, për të cilat Vucic deklaroj se planifikon të mbahen edhe në Kosovë. Vucic tashmë ka përgatitur “kokën e turkut” e cila do të sakrifikohet pas dështimit të serishëm të Serbisë dhe Vucicit në Kosovë dhe shihet qartë se ai është Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrës për Kosovë” Petar Petkovic.


Vucic e kishte poshtëruar Petkovicin edhe publikisht në një adresim para mediave pas takimit me delegacionin e Republikës së Kosovës në Bruksel. Derisa Petkovic ishte munduar të ndihmonte Vucicin i cili për disa momente kishte mbetur pa tekst, ky i fundit i kishte reaguar ashpër duke e qortuar dhe poshtëruar Petkovicin për ndërhyrjen.