Millosh Vuçeviq

Vuçeviq: Nuk është realiste të arrihet marrëveshja me Kosovën këtë vit

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq tha se nuk është optimist se Kosova dhe Serbia do të arrijnë një marrëveshje deri në fund të vitit.

Siç ka vlerësuar për Radio Televizionin e Serbisë (RTS), presioni politik ndaj Serbisë vazhdon, si për Kosovën ashtu edhe për marrëdhëniet me Rusinë, shkruan rel, transmeton Klankosova.tv.

Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, i cili po vazhdon prej gati dy vitesh, që nga 24 shkurti 2022, edhe pse është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Aspak periudhë e lehtë, mbi të gjitha do të thosha në gjashtë muajt e ardhshëm, jo ​​vetëm deri në fund të janarit, dhe Kosova” sipas tij, “do të jetë tema dominuese”.

Siç shtoi ai, Beogradi duhet të vazhdojë të jetë maksimalisht konstruktiv, duke ruajtur interesat shtetërore dhe kombëtare, por edhe të ketë vija të kuqe të përcaktuara qartë.

Vuçeviq vlerësoi gjithashtu se “nuk është realiste” që deri në fund të vitit të arrihet diçka që nuk është arritur me dekada.

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë dhe Shtabi i Përgjithshëm ushtarak nuk do të heqin dorë nga nisma për të rifilluar shërbimin e detyrueshëm ushtarak, tha më tej Vuçeviq.

Ai theksoi se është e rëndësishme të theksohet se nuk është thirrje për luftë, por kuptim i të gjitha aspekteve të sigurisë të rrethanave gjeopolitike, gjendjes në vend, situatës në rajon dhe të ardhmes së Serbisë.

Nisma për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak është nisur nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Serbisë dhe propozimi i është dorëzuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 4 janar.

Në shpjegimin e saj, Ushtria deklaroi se propozimi vjen “pas një shqyrtimi të hollësishëm të situatës së përgjithshme të sigurisë dhe sfidave bashkëkohore me të cilat përballet Serbia si një vend ushtarakisht neutral”.