Sahar Baruch

Vritet një tjetër peng izraelit në Gaza

Sahar Baruch, 25 vjeç, një nga 240 personat e marrë peng gjatë sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor është vrarë. Lajmin e bëri të ditur komuniteti i tij, Kibbutz Be’eri, dhe Forumi i Pengjeve dhe Familjeve të Zhdukura.

“Me pikëllim të madh dhe zemër të thyer njoftojmë vrasjen e Sahar Baruch, i cili u rrëmbye nga shtëpia e tij nga terroristët e Hamasit në Gaza të Shtunën e Zezë dhe u vra atje. Vëllai i tij Idan u vra nga Hamasi më 7 tetor…Do të kërkojmë kthimin e trupit të tij si pjesë e çdo marrëveshjeje për kthimin e pengjeve. Ne nuk do të ndalemi derisa të gjithë të jenë në shtëpi.”

Hamasi publikoi një video më herët gjatë ditës së sotme, në të cilën Baruch shfaqet me flokët e rruar, duke thënë se ishte mbajtur peng për 40 ditë (konflikti ka 63 ditë që ka nisur).

Videoja më pas tregoi trupin e tij të rrahur, të mbuluar me gjak. Hamasi pretendon se vdekja e të riut është shkaktuar nga Forcat izraelite të Mbrojtjes.

Baruch ishte student i inxhinierisë elektrike në Universitetin Ben-Gurion.