Është vrarë komandanti i një prej batalioneve të separatistëve pro-rusë në Ukrainën lindore, Mikhail Kishchik. I njohur me pseudonimin Misha Çeçen, Kishchik u vra kur trupat ruse dhe forcat separatiste nisën një sulm ndaj ushtrisë ukrainase në lindje të vendit, shkruan BBC.

“Lajm i trishtuar nga vijat e para. Ka vdekur patrioti i LNR, nënkoloneli Mikhail Kishchik”, shkroi në Tëitter kryeministri i Republikës së vetëshpallur Popullore të Luhansk (LNR), Sergei Kozlov.

Kozlov shton se Kishchik dhe bashkëluftëtarët e tij u rrethuan nga ukrainasit pranë qytetit të Kreminit dhe “luftuan deri në njeriun e fundit”.

Kishchyk dhe batalioni i tij kanë luftuar kundër forcave ukrainase që nga viti 2014. Në fazat e hershme të konfliktit, ai dhe luftëtarët e tij u akuzuan për plaçkitje të pronave të banimit në rajonin e Luhanskut.

Në vitin 2016, gjatë një qetësie në armiqësitë në Ukrainën lindore, gazeta e pavarur ruse Nova Gazeta publikoi një hetim në të cilin Kishchik u emërua një nga krerët e një rrjeti kontrabandë në Ukrainën lindore. Ai nuk i komentoi asnjëherë akuzat.