Gazetari i vrarë në sulmin në Libanin jugor është pjesë e stafit të lajmeve të “Reuters”.

Kështu të paktën tha agjencia e lajmeve “Reuters” e cila njoftoi se bëhet fjalë për Issam Abdallah.

“Ne jemi thellësisht të pikëlluar kur mësuam se Issam Abdallah, është vrarë”, thuhet në deklaratë.

Issam ishte pjesë e një ekipi të “Reuters” në Libanin jugor, i cili po jepte një sinjal video të drejtpërdrejtë.

“Ne po kërkojmë urgjentisht më shumë informacion, duke punuar me autoritetet në rajon dhe duke mbështetur familjen dhe kolegët e Issamit”.

Gazetarët e tjerë, Thaer Al-Sudani dhe Maher Nazeh gjithashtu pësuan lëndime dhe po kërkojnë kujdes mjekësor.

“Mendimet tona janë me familjet e tyre në këtë kohë të tmerrshme”.

Një fotograf i “Associated Press” në vendngjarje pa trupin e gazetarit të vdekur dhe gjashtë të plagosurve – disa prej të cilëve u dërguan me urgjencë në spital me ambulanca.

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë një makinë të djegur.

Televizioni “Al-Jazeera” i Katarit, tha se dy nga punonjësit e tij, Elie Brakhya dhe reporterja Carmen Joukhadar, ishin në mesin e të plagosurve.

Granatimet ndodhën gjatë një shkëmbimi zjarri përgjatë kufirit Liban-Izrael midis trupave izraelite dhe anëtarëve të grupit militant Hezbollah të Libanit.

Kufiri Liban-Izrael ka qenë dëshmitar i akteve sporadike të dhunës që nga sulmi i së shtunës nga grupi militant palestinez Hamas në Izraelin jugor.

Gazetarë nga e gjithë bota kanë ardhur në Liban nga shqetësimi se mund të shpërthejë lufta midis Hezbollahut dhe Izraelit.