Vrau gruan dhe vajzën: Paralajmërohen protesta kundër dënimit të ultë të Pjetër Ndrecaj

Për herë të dytë Gjykata Themelore në Gjakovë ka marrë aktgjykim dënues për të akuzuarin Pjetër Ndrecaj. Trupi gjykues e ka dënuar atë me 24 vjet e 6 muaj burgim për vrajën e Valbona Markut dhe vajzës së tyre 9 vjeçare, si dhe një vit burgim për armë mbajte pa leje. Këtë dënim po e konsiderojnë të ulët organizatat që merren me të drejtat e grave të cilët po paralajmërojnë edhe protesta.

Pjetër Ndrecaj në gusht të vitit 2018, e kishte qëlluar me kallashnikov bashkëshorten e tij 34 vjeçare dhe vajzën e tyre 9 vjeçare.

Erza Kurtit, eksperte për dhunën me bazë gjinore nga “ Rrjeti i Grave të Kosovës” tha për KosovaPress, se dënimi ndaj Ndrecaj si OJQ e kanë marrë me shumë shqetësim, prandaj edhe po planifikojnë të mbajnë protestë.

Sipas saj, duke parë peshën e kësaj vepre që ka kryer tashmë i dënuari, Pjetër Ndrecaj gjykata do të duhej domosdoshmërisht ta dënonte atë me burgim të përjetshëm.

“Duke parë se vepra që ka kryer Pjetër Ndrecaj që është vrasje e dyfisht ndaj bashkëshortes dhe vajzës të tij konsiderohet edhe nga ligji që të dënohet me burg të përjetshëm. Prandaj duke parë edhe rrethanat se si ka ndodhur vrasja për neve është një padrejtësi që iu ka bërë viktimave edhe njëherë për këtë dënim kaq të ulët…Për momentin ende nuk kemi kontaktuar me familjarët e Valbonës. Mirëpo, ne po parashikojmë ta bëjmë një protestë…039Protesta do të mbahet sipas të gjitha gjasave gjatë kësaj jave që sa më shpejt që edhe Prokuroria t’i bëjë ankesat e veta edhe Gjykata do të duhej ta ndryshonte këtë vendim për shkak sepse është një vendim jo i merituar dhe jashtëzakonisht i ulët”, u shpreh Kurti.

Kurti thotë se dënimet e tilla të ulëta ndaj kryesve të këtyre veprave të rënda, sidomos ndaj grave janë shtysë për abuzuesit e dhunës në familje për të kryer krime të tilla.

“Fatkeqësisht një dënim kaq i ulët është vetëm një shtysë për abuzuesit e dhunës në familje dhe këta kriminel që mos të ndalen me këto vepra, për shkak se ne e dimë që dënimi është shumë i ulët dhe kjo është si një shtysë më e madhe për ta. Fatkeqësisht kemi me dhjetëra e qindra gra që përjetojnë dhunë në familje, shumë viktima që janë vra nga bashkëshortët apo familjarëve të tjerë jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për këtë prandaj dënimi do të duhej të jetë rehabilitues për kryesin e veprës. Por me këtë dënim që i është dhënë Pjetër Ndrecaj nuk është rehabilitim dhe asnjë përmirësim për më tutje që iu bëhet edhe kryesit të vepër”, tha ajo.

Kurse, Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se politika ndëshkimore vazhdon të jetë problematike në Kosovë, sepse nuk vlerësohen drejt parimet e dënimit, qëllimet e dënimit dhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

Shala për KosovaPress ka thënë se në rastet si kjo e Pjetër Ndrecajt që paraqesin rrezikshmëri të lartë, i akuzuar duhet të dënohet me dënimin maksimal që e parasheh Kodi Penal i Kosovës e që është burgim i përjetshëm.

“Edhe në kategorinë e vrasjeve politika ndëshkimore vazhdon të jetë problematike. Instituti i Kosovës për Drejtësi kohë më parë kishte publikuar një raport ku kishte analizuar politikën ndëshkimore përkatësisht zbatimin e udhëzuesit për politikë ndëshkimore në rastet e vrasjeve dhe kishte parë që ka një jouniformitet dhe jokonsistenc në shqiptim të dënimeve. …Politika ndëshkimore në Kosovë është problematike për arsye se kryesisht sepse nuk vlerësohen drejt parimet e dënimit, qëllimet e dënimit dhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese. Në raste si kjo domosdoshmërisht duhet të aplikohet dënimi më i rëndë që parashihet në Kodin Penal në raste të tilla. Është e domosdoshme që të kemi edhe burgime me burgim të përjetshëm veçanërisht kur bëhet fjalë për vepra penale të kësaj rrezikshmërie dhe që kanë pasoja kaq të mëdha…Në rastin e aktgjykimit të sotshëm të shpallur ne ende nuk e kemi parë aktgjykimin me shkrim, por nga ajo që kemi monitoruar në rastin konkret nuk bëhet fjalë për ndonjë ndryshim substancial të rrethanave pas rigjykimit të këtij rasti i cili ndryshim substancial do të ndikonte edhe në uljen e dënimit”, tha ai.

Shkelja për të cilën Gjykata Supreme rastin e Pjetër Ndrecajt e kishte kthyer në rigjykim, Shala thotë se është elementare dhe për këtë duhet të mbajë dikush përgjegjësi.

“Shkelja për të cilën ka konstatua Gjykata Supreme në rastin konkret ka qenë një shkelje elementare që nuk do të duhej të ndodhte në asnjë rast tjetër. Pra, bëhet fjalë për mos pranim të plotë të fajësisë nga ana e të pandehurit , dhe pranimin e pjesshëm të fajësisë nga ana e të njëjtit gjykata e shkallës së parë e ka marr si pranim të fajësisë për gjithë akuzën ..Për shkak të këtij aspekti procedural i gjithë procesi është kthyer në rigjykim. Dhe pikërisht në rastin konkret kemi një dështim si të shkallës së parë, si të shkallës së dytë që nuk e ka mënjanuar këtë rast para se rasti që rasti të shkoj në Gjykatën Supreme”, theksoi Shala.

Pjetër Ndrecaj në nëntorin të 2018, ishte dënuar me 24 vjet burgim për vrasjen e bashkëshortes, Valbonës dhe vajzës së tij, por në mars të 2019, Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë duke e dënuar atë me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së tij, në fshatin Brekoc të Gjakovës.

Apeli kishte vlerësuar se gjykata e shkalles së parë nuk i ka vlerësuar në mënyrë të drejtë rrethanat rënduese. Por aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe asaj të Apelit u hodhën poshtë nga Gjykata Supreme, e cila kishte kërkuar që procesi të kthehej nga fillimi.

Gjykata Supreme kishte konstatuar se në aktgjykimin e shkallës së parë ishin bërë shkelje esenciale të procedurës penale, ku më pas Gjykata e shkallës së dytë kishte kaluar mbi këto shkelje