Vrau George Floyd, shpallet fajtor polici për të gjithë akuzat

Derek Chauvin, efektivi i policisë 45-vjeçar që akuzohet si autor i vrasjes së afro-amerikanit George Floyd në Mineapolis në majin e vitit të kaluar, u dënua për të tre akuzat ndaj tij.

Juria ishte e përbërë nga 5 burra dhe 7 gra, dhe debatoi për rreth 10 orë në dy ditë, fillimisht të hënën, duke u rikthyer sot me vendimin përfundimtar.

Chauvin kishte deklaruar veten të pafajshëm për akuzat e ngritura, që ishin tre, vrasje e paqëllimshme e gradës së dytë, vrasje e gradës së dytë që nënkupton vrasjen e qëllimtë,  dhe të gradës së tretë, ku kjo e fundit nënkupton një veprim të qëllimtë për të shkaktuar dëm, pa asnjë respekt për jetën e tjetrit.  

Polici mund të gjykohej për të tre akuzat, ku dënimi parashikohet deri me 10 vjet për akuzën e parë, 40 vjet për vrasjen e gradës së dytë dhe 25 për atë të gradës së tretë.

Vrasja e George Floyd dhe thirrja e tij “Nuk marr dot frymë!”, drejtuar policit, u bënë simbol i një vale proteste që kaloi edhe kufinjtë e Shteteve të Bashkuara, ku akuzave për arrogancën e policisë ndaj personave me ngjyrë iu bashkua edhe një përkrahje globale kundër racizmit,  e drejtuar nga lëvizja “Black Lives Matter”.

Verdikti u ndoq edhe nga vetë presidenti Joe Biden, që për rastin ndryshoi edhe takimet e tij institucionale.