Vrasja tronditëse sot në Gjakovë: Një 13 vjeçar e pa gjithë ngjajren

Fshati Bardhaniq i Gjakovës u trondit në orët e hershme të mëngjesit nga një tragjedi ku një person vrau me thikë burrin e hallës së tij dhe lëndoi rëndë hallën dhe djalin e saj.

Prokurori i rastit, Ali Uka ka thënë për Gazetën Sinjali se i dyshuari kishte qëndruar që tri ditë te familja e hallës së tij ku edhe e kreu krimin rreth orës 3 të mëngjesit. Uka tha se i dyshuari ka qenë pacient në repartin e Psikiatrisë në Spitalin Rajonal të Gjakovës ku po trajtohej si konsumues i drogës.

“Nuk dihen ende motivet. I dyshuari ka qenë disa herë në vizita mjekësore si përdorues i narkotikëve, është shtetas i Republikës së Shqipërisë. E ka vra me thikë bashkshortin e hallës së tij edhe e ka lëndu rëndë hallën e vetë dhe djalin e tyre. Dmth kemi të bëjmë me një vrasje dhe dy tentim vrasje.  Ai ka ardhur këtu, ka qenë pacient i Psikiatrisë në Spitalin Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, si konsumues i drogës. Tri ditët e fundit ka qëndru te familja e viktimës, aty ka ardhë te miku i tij. Rreth orës 3 të mëngjesit e ka kryer aktin, e ka vra burrin e hallës së tij, dhe i ka lëndu rëndë hallën dhe djalin e hallës. Këta të dy janë të lënduar, djali është në QKUK në Prishtinë në gjendje kritike, ndërsa gruaja gjendet në Spitalin Rajonal të Gjakovës”, tha Uka.

Tutje, Uka ka treguar se në vendin e ngjarjes përveç viktimës dhe dy të lënduarve ka qenë edhe një fëmijë i moshës 13-vjeçare i cili e ka parë të gjithë ngjarjen tragjike. I njëjti nuk është intervistuar ende për shkak të shqetësimeve dhe traumve që i ka shkaktuar ngjarja.

“Halla e të pandehurit është intervistuar nga ana e Policisë. Ndërkohë do të intervistohet edhe i pandehuri. Në vendin e ngjarjes ka qenë edhe një fëmijë i tyre i moshës 13 vjeç, por për shkak të shqetësimeve e traumve që ka nuk kemi qenë në gjendje njëherë me intervistu, se ai po e dike rastin krejt, por është shumë i ri, 13 vjeç e mos po i shkaktojmë dëm. Me kalimin e kohës do ta intervistojmë edhe atë. Nuk kemi të dhëna që kanë pasur më herët ndonjë konflikt, por gjatë hetimeve do ta provojmë edhe këtë rrethanë se a kanë pasur mosmarrëveshje më herët apo diçka. Djali është në gjendje bukur të rëndë, është 23 vjeçar, bashkëshortja është 46 vjeçe, ndërsa viktima 60 vjeç”, ka thënë Uka.

Rastin e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Nusret Gjurkaj, dhe drejtori i Policisë së këtij rajoni, Lumni Graishta.