Vrasja në Prishtinë, kërkohet paraburgim për të dyshuarin

Rekreacioni i gjahut të dy personave në Prishtinë gjatë së dielës përfundoi me tragjedi.

Gjatë së dielës një person nuk ka mundur t’i përballoj plagëve të marra nga një armë gjuetie.

E tërë kjo kishte ardhur si pasojë e pakujdesisë, pasi që të dy personat, viktima dhe i dyshuari kishin dalë për gjah.

Për të dyshuarin, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar paraburgim.

Këtë e ka konfirmuar për Demokracia.com, Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

“Me urdhër të prokurorit është ndaluar një person në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale “Vrasja nga pakujdesia” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas KPRK-së. Prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor, do të parashtrojë kërkesë në gjykatën kompetente për shqiptimin e masës për sigurimin e prezencës të pandehurit në procedurë penale”, ka thënë Ulaj.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës në raportin ditor ka bërë të ditur se dy peronat kishin dalë për gjah në lagjen Kolovica e Vjetër në Prishtinë dhe nga pakujdesia me armë gjuetie është plagosur viktima, i cili nuk kishte arritur që t’i mbijetoj plagëve të marra dhe kishte ndërruar jetë në QKUK.

Policia ka njoftuar se është konfiskuar edhe arma e cila është përdorur.

“Kolovicë e Vjetër, Prishtinë, 25.09.2022-10:35.  Raportohet se i dyshuari mashkull  kosovar derisa kanë qenë  për gjueti-rekreacion, nga pakujdesia ka qëlluar me armë zjarri viktimën mashkull  kosovar duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse. Vdekjen e  viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKUK . Njësit relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes. Nga i dyshuari është konfiskuar një pushkë gjuetie me shtatë  fishekë. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, ka njoftuar Policia në raportin 24-orësh.