Prokurori kujdestar i Prokurorisë së Prishtinës, Armend Hamiti, ka konfirmuar se për vrasjen në Lipjan është të paktën një person i dyshuar.

Ai ka thënë se bëhet fjalë për një vdekje të dhunshme.

“Sapo u mor informata nga policia, si prokuror kujdestar, konfirmuam që një person që ka punuar këtu ka vdekur. Bëhet fjalë për një vdekje të dhunshme. Kemi shpërnda me policinë njësitë hetimore që të identifikohet personi, emri i të cilit s’dihet, por si fizikus është parë në kamerë. Për momentin kjo mund të ndahet me opinionin. Nëse na nevojitet ndihma e qytetarëve do të njoftojmë. Për momentin kualifikim i parë është grabitje me pasojë vdekje. Është një person që shihet pak a shumë në kamerë, por që s’është identifikuar”, ka thënë ai, transmeton Ballkani.info.

Për mediat ka fol edhe komandanti i Policisë në Lipjan që ka dhënë detaje tjera për rastin.

“Rreth orës 20:10 minuta, kemi pranuar një informatë që punëtori që ishte duke punuar në këtë lokal, nuk është lajmëruar në telefon. Për tre minuta i jemi përgjigjur thirrjes dhe kemi pa se dera e lokalit ishte e mbyllur. Me forcë është hap dera dhe brenda është gjetur prapa sharkut një person të shtrirë në tokë, pa shenja jete dhe i konfirmuar mandej nga mjeku kujdestar në qendrën spitalore në Lipjan. Janë thirr njësitë relevante. Mund të them që personi që ka humb jetën është i gjinisë mashkullore, rreth 30 vjeçar”, ka thënë Driton Imeri. /Ballkani.info