Vrasja në Ferizaj, flet avokati i të dyshuarit: Seanca u mbajt në QKUK, ka mundur të thotë vetëm po ose jo

Avokati Kastriot Zenuni ka thënë se klienti i tij, Qëndrim Januzi, i cili është i dyshuar për vrasjen e Gazmend Hysenit në Ferizaj, nuk e ka gjendjen shëndetësore shumë të mirë. Në një bisedë për Gazetën Express, avokati Zenuni tha se seanca për caktimin e paraburgimit ndaj tij është mbajtur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Avokati Kastriot Zenuni shtoi se Prokuoria ka bërë këresë për caktimin e paraburgimit ndaj Qëndrim Januzit, por se mbrojtja e të dyshuarit nuk e ka marrë aktvendimin nëse është caktuar masa e paraburgimit apo jo.

“Sipas mjekut ka qenë në gjendje me u përgjigj vetëm me po ose jo. Nuk e kanë marrë në pytje edhe gjatë. Seanca u mbajt brenda objektit të QKUK-së”, tha avokati Zenuni të dielën për Gazetën Express.

Ai shtoi se Qëndrim Januzi ka lëndime kryesisht në nofull.

Policia ka njoftuar se i dyshuari Qëndrim Januzi është plagosur nga një zyrtar policor në detyrë i cili në ato momente ishte me rroba civile.

“I dyshuari mashkull kosovar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës mashkull kosovar, i cili ka mbetur i vdekur. Një zyrtar policor në detyrë në rroba civile ka intervenuar dhe ka shtënë në drejtim të dyshuarit, ku i njëjti është plagosur”, thuhet në raportin e policisë.

Policia njofton se me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për Obduksion, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.