Vrasja në Batllavë dyshohet se ndodhi për probleme pronësore mes kushërinjve

Për vrasjen e 41-vjeçarit sot në fshatin Batllavë të Podujevës, Gazeta Express ka mësuar detaje të reja.

Siç bëjnë me dije burime të besueshme të Expressit brenda Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore të Prishtinës, vrasja dyshohet se ka ndodhur për probleme pronësore. Ndërsa i dyshuari dhe viktima janë kushërinjë mes vete, thanë tutje këto burime të Expressit.

Policia ka konfirmuar se viktimë në këtë rast është G.B (mashkull), 41 vjeç, vdekjen e të cilit e  ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.

Ndërsa, arrestimi i të dyshuarit B.B.,  47 vjeç  u bë në fshatin Gërdovc të Podujevës.

Të njëjtit, i është sekuestruar edhe një armë zjarri që dyshohet të jetë arma e përdorur në rast.

“Aktualisht hetuesit policor, janë duke punuar për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin, i cili është cilësuar si Vrasje e rëndë”, është thënë në njoftimin e policisë.