Vrasja në Skenderaj

Vrasja në Baks të Skenderajt, eksperti thotë se i akuzuari s’ka pasur tronditje mendore në ditën kritike

Psikiatri Ajet Bunjaku në cilësinë e ekspertit, të martën në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ka deklaruar se i akuzuari Fiton Musliu nuk ka pasur tronditje mendore në ditën kritike kur ka ndodhur vrasja.

Një deklarim të tillë, eksperti Ajet Bunjaku e bëri pasi kryetari i trupit gjykues Mentor Hajraj e pyeti se a ka ndikuar gjendja e jashtëzakonshme psikike e të pandehurit Fiton Musliu që i njëjti të ketë tronditje të fortë mendore.

“Në rastin konkret jo”, u përgjigj eksperti Bunjaku.

Në këtë rast, të akuzuarit Shukri dhe Rexhep Rexhepi në bashkëkryerje po ngarkohen për vrasje të rëndë të B.M, në vitin 2022 në fshatin Baks të Skenderajt. Kurse, kurse Fiton Musliu ngarkohet për vrasje të mbetur në tentativë.

I pyetur nga anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Ali Kutllovci, eksperti tha se rasti konkret ka qenë gjendje e jashtëzakonshme psikike për të pandehurin Musliu shkaku i të shtënave dhe ngjarjes që ka parë.

Por, sipas tij, në qoftë se veprimi kishte ndodhur në atë moment dhe në qoftë se i pandehuri e kishte pasur armën me vete atëherë ishte diskutuar tronditja, por sipas tij veprimi ka shkuar në etapa dhe kjo e eliminon tronditjen mendore.

Ndërsa, mbrojtësi i të pandehurit Fiton Musliu, avokati Gani Rexha tha se nuk pajtohet me mendimin dhe konstatimin e ekspertëve në ekspertizë pasi sipas tij, ekspertët nuk e kanë kuptuar kërkesën e mbrojtjes që të konstatohet tronditja mendore e të pandehurit Musliu.

Tutje, avokati Rexha pasi sqaroi se i pandehuri Musliu ka qenë prezent në vendin e ngjarjes, dhe e ka parë Shukri Rexhepin duke dalë me automatik në dorë nga automjeti, në afërsi, dhe duke shtënë me automatik në tani të ndjerin B.M, të cilin e godet dhe e privon nga jeta.

“Pasi e tërë kjo ngjarje është zhvilluar në prezencë të të akuzuarit Musliu, i njëjti shkon në shtëpinë e tij e merr pushkën e gjuetisë dhe kur është kthyer në vendin e ngjarjes shtënë në drejtim të Shukri Rexhepit”, tha Rexhaj, duke e pyetur ekspertin se në këtë situatë a ka ekzistuar tronditje e fortë mendore për akuzuarin apo çdo gjë ju ka nënshtruar normalitetit.

Lidhur me këtë, eksperti u përgjigj se në ekspertizën psikiatrike si komision vlerësues kanë konstatuar se Fiton Musliu në ditën kritike nuk ka pasur tronditje të fortë mendor, dhe ky konstatim ka ardhë duke e bërë intervistimin e të pandehurit Musliu, duke analizuar shkresat e lëndës në dispozicion dhe duke analizuar literaturën dhe raste të ngjashme, dhe bazuar në përvojën e tyrë në këtë fushë.

Eksperti tha se gjatë intervistimit të të pandehurit Musliu është konstatuar se atij i kujtohet e gjithë rrjedha e ngjarjes dhe të gjitha elementet, ndodhjet dhe akterët e ditës kritike, i kujtohet arsyeja e shkuarjes në shtëpi, dhe në ato momente e ka ditur saktë vendndodhjen e armës, dhe prapë është kthyer në vendin ku ka ndodhur vepra, dhe e ka bërë veprimin për të cilin akuzohet.

Ndërsa, avokati Rexha tha se nga praktika gjyqësore në rastet kur një bashkëshort e zënë në tradhti bashkëshorten tjetër dhe e vret është vërtetuar ekzistimi i tronditjes mendore, ndërsa në rastin konkret sipas tij, kemi të bëjmë me vrasje, dhe e pyet ekspertin se çfarë e shkakton tronditjen mendore?

Eksperti tha se tronditja mendore mund të shkaktohet edhe nga sharja e nënës apo motrës, por të gjitha rastet janë specifike në vete dhe varët prej faktorëve të tjerë të cilët e sjellin veprimin e personit dhe dinamiken se si zgjatë rrjedha e atij veprimi.

Tutje, avokati Rexha e pyet ekspertin se a është më e rëndë një fyerje apo një vrasje për të shkaktuar një tronditje mendore, eksperti tha se po varët.

Ndërsa, mbrojtësi i të pandehurit Shukri Rexhepi, avokati Mahmut Halimi pati katër propozime të reja.

Kurse, gjykata pasi mori edhe mendimet e palëve refuzoi propozimin e avokatit Halimi për t’u siguruar numri kontaktues i dëshmitarit Arsim Ferati dhe i njëjti të merret në pyetje përmes “Skype”-it, me arsyetimin se sipas raporteve të policisë rezulton se nuk mund të sigurohet prezenca e tij, dhe se në shqyrtimin e kaluar gjyqësor është lexuar deklarata e dëshmitarit Ferati, e dhënë në polici.

Gjykata, po ashtu e refuzoi propozimin e avokatit Halimi për plotësimin e ekspertizës mjeko-ligjore, dhe propozimin që sërish të dëgjohet në shqyrtim gjyqësor mjeku-ligjor, me arsyetimin se tani veçse ekziston ekspertiza bazë mjeko-ligjore, dhe aktekspertimi në raport me të pandehurin Shukri Rexhepi.

Ndërsa, u aprovua propozimi që të bëhet rikonstruktimi i vendit të ngjarjes në fshatin Baks të Skenderajt, dhe prezent të jenë të pandehurit, dëshmitarët përveç të miturit F.R, dhe eksperti i balistikes dhe eksperti i mjekësisë ligjore, me arsyetimin se gjykata vlerëson se është e nevojshme në mënyrë që çështja faktike të vërtetohet sa më drejtë.

Ndryshe, i akuzuar në këtë rast ka qenë edhe Agim Musliu, ndaj të cilit ishte veçuar procedura pas pranimit të fajësisë për armëmbajtje pa leje.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 19 qershor 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Shukri Rexhepit, Rexhep Rexhepit, Fiton Musliut dhe Agim Musliut.

Shukri dhe Rexhep Rexhepi akuzohen se më 23 korrik 2022, në fshatin Baks, Komuna Skenderaj, në bashkëkryerje, kanë privuar nga jeta viktimën B.M, si dhe kanë plagosur të dëmtuarin Labinot Ademi. Rasti thuhet se ka ndodhur pas një fjalosjeje. Kurse, Fiton Musliu akuzohet se me dashje ka filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes mirëpo që e njëjta ka mbetur në tentativë, pasi i njëjti ka shkrepur me pushkë të gjuetisë me qëllim që ta privojë nga jeta Shukri Rexhepin. Kurse, Agim Musliu thuhet se ka mbajtur në posedim armë të zjarrit- pushkë e gjuetisë në kundërshtim me Ligjin për Armë.