Vrasja makabre e 18-vjeçares në Ferizaj: Në xhamitë e Kosovës sot ligjërohet për luftimin e dhunës ndaj gruas

Bashkësia Islame e Kosovës ka bërë të ditur se sot në xhamitë e Kosovës do të ligjërohet për dhunën ndaj gruas, pas rastit tragjik që ndodhi në komunën e Ferizajt.

Vrasja e 18-vjeçares M.O., në Ferizaj, ka tronditur gjithë vendin. Pas kësaj tragjedie është protestuar dy herë dhe është kërkuar që vrasësve t’u shqiptohen dënime meritore.

Në këtë situatë, Bashkësia Islame e Kosovës njofton se me rekomandim të kryetarit të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiut Naim ef. Tërnava, në të gjitha xhamitë e Republikës së Kosovës, në hytben e xhumasë do të ligjërohet tema: “Angazhimi familjar dhe kolektiv për luftimin e dhunës ndaj femrës”.

Si të dyshuar për këtë rast janë arrestuar dy persona nga policia e Kosovës, ndërkaq, M.O, 18-vjecare nga Ferizaj iu është dhënë lamtumira e fundit ditë më parë.