Ilir Sadriu, djali i Sadri Sadriut, 89-vjeçarit që dyshohet u vra me armë zjarri nga një oficer policor i Kosovës në Bibaj të Ferizajt më 16 gusht, ka thënë se një padi për pedofili ndaj babait të tij është hedhur poshtë nga Prokuroria e Vrajës në Serbi.

Kësisoj, ai ka thënë se dyshimet e ngritura për pedofili ndaj babait të tij, Sadri Sadriut, nuk qëndrojnë.

Ilir Sadriu, një politikan shqiptar në Luginën e Preshevës dhe i biri i viktimës, ka deklaruar se babai dhe familja e tij ka pasur presion për përfitime financiare nga një grup, i cili sipas tij, është i lidhur me vrasësin e dyshuar.

“Akti i ulët dhe barbar i ekzekutimit të babait tim, Sadri Sadriu, një ish-mësues i përkushtuar me 42 vite përvojë në edukimin dhe arsimimin e shumë brezave në Luginën e Preshevës dhe më gjerë, ndodhi pa asnjë paralajmërim dhe pa asnjë shenjë paraprake që një akt i tillë mund të ndodhte”, ka thënë ai.

“Kjo përpjekje e dorasit, asistentit të tij dhe porositësve të këtij akti barbar, ndoshta edhe e sponsorizuar nga entitete të caktuara private dhe publike, filloi përmes një denoncimi të bërë nga T.M., vajza e dajës, më 8 dhjetor 2021, pranë autoriteteve të Serbisë në Preshevë”, ka deklaruar Ilir Sadriu.