Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala konsideron se sulme të tilla si vrasja e policit Afrim Bunjaku dhe plagosja e dy të tjerëve pas mesnate gjatë sulmeve nga grupet e armatosura në fshatin Banjska të Zveçanit, janë paralajmëruar qysh nga takimi i 14 shtatorit që është zhvilluar në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Shala në një intervistë për KosovaPress vlerëson se qasja e Perëndimit ndaj Serbisë duhet të jetë më rigoroze.

Sipas tij, Beogradi zyrtar po qëndron prapa gjithë këtij plani special ushtarak të kryer nga mercenarët e Wagnerit të mbështetur edhe nga strukturat kriminale të pjesës veriore dhe grupeve terroriste të shpallura nga shteti i Kosovës.

“Kjo po e dëshmon faktin se Beogradi qëndron prapa gjithë këtij plani special ushtarak të kryer nga Mercenaret të Vagnerit të mbështetur edhe nga strukturat kriminale të pjesës veriore dhe grupeve terroriste të shpallura nga shteti i Kosovës. Pra, situata tanimë nga puna profesionale e bërë nga PK është duke rikthyer normalitetin dhe duke u neutralizuar rreziku i cili është permanent dhe i lartë në drejtim të institucioneve të Republikës së Kosovës, por njëkohësisht duke garantuar edhe rikthimin e sovranitetit dhe integritetit territorial”, deklaron Shala.

Shala thotë se pavarësisht tendencave të grupeve kriminale, Policia nuk duhet të zmbrapset.

“Situatat e tilla kanë qenë të paralajmëruara se mund të ndodhin bazuar në retorikën politike dhe në qëndrimet e kundërta sa i përket nga takimi i 14 shtatorit që është zhvilluar në Bruksel. Pra, Vuçiq është në një situatë të palakmueshme ku tanimë do të shfrytëzojë çdo element të tij të mundshëm për të krijuar situata dhe një destabilitet bukur të lartë në potencial të konfliktit, ku tanimë pozicionimi në Manastir po jep edhe elementet e saja që çdo veprim i mëtutjeshëm i strukturave të Policisë së Kosovës do të konsiderohet involvim dhe hyrje në objektet e kultit fetar. Por, Policia nuk duhet të zmbrapset pavarësisht tendencës. KFOR-i tanimë përmes një deklarate ka thënë se është në gjendje të ndihmojë dhe të intervenojë, kjo e jep elementin e asaj që KFOR-i tanimë në komunikimin të rregullt që ka edhe me komponentin e ushtrisë së Serbisë po dëshiron të krijojë një korridor që ky grup mercenarësh të ushtruar në qarqe dhe baza ushtarake të Serbisë dhe të mbështetur nga BIA serbe dhe nga ushtria e Serbisë të mund të lëvizin dhe më pastaj situata të rikthehet në normalitet të mundshëm”, vijon Shala.

Mes tjerash, Shala thotë se në këtë rast, përgjegjësia është e KFOR-it, të garantojë sovranitetin territorial të Republikës së Kosovës.

“KFOR-i ku ishte në momentin që ky grup ka hyrë në territorin e Republikës së Kosovës, ku dihet që sipas Rezolutës 1244 përgjegjësia e vijës administrative apo vijës kufitare është ekskluzive e KFOR-it. Por, anën tjetër, është pyetja se ky grup a ka qëndruar përgjatë kohëve të caktuara në territorin e Republikës së Kosovës, sepse ka indikacione, ka elemente ku jepet rrugëtimi se ky grup qëndron mbrapa sulmeve me granatë dore të ndodhë para disa ditëve në territorin e Republikës së Kosovës… Në momentin që ka një grup të strukturuar ushtarak me autoblindat e tyre që kanë hyrë në territorin e Republikës së Kosovës nga një shtet tjetër, përgjegjësia është e kompetencës ushtarake që ka për detyrë të mbrojë dhe të garantojë sovranitetin territorial të Republikës së Kosovës”, thotë Shala.

Sipas Shalës, qasja e butë e Perëndimit karshi Serbisë, ka bërë që situata të jetë e tillë.

“Tanimë faktori ndërkombëtar do duhej të sheh pozicionimin e qartë që Beogradi nuk ka ndryshuar nga retorika e Millosheviqit. Pra, çdo tendencë, çdo mundësi e cila vjen në drejtim të faktorit ndërkombëtar që do duhej të zbatojë kërkesat që palët të rikthehen nuk do duhet të tolerohet që Vuçiq të luajë dhe të përdorë kartën e një bashkëpunuesi pragmatik sa i përket luftës në Ukrainë. Pra, këtë karrem të cilin e ka përdorur si pasojë e pozicionimit të tij neutral në luftën e Ukrainës, ia ka mundësuar si nga faktori ndërkombëtar deri më tani të jetë i pandëshkuar dhe ky pandëshkim po shfaqet në pjesën veriore po shfaqen elementet e para të asaj që tanimë është proklamuar që Vuçiq ka tendencën e krijimit të botës serbe. Vuçiqi ka për synim mos ta njohë Kosovën si Republikë… Qasja e Perëndimit do duhej të jetë pragmatike, rigoroze sa i përket pozicionimit të tyre në raport me cenimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës”, përfundon Shala.

Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme (e diel) është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku ndërsa dy të tjerë janë plagosur. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjska të Zveçanit ku është sulmuar patrulla policore.