Gjykimi

Vrasja e Marigona Osmanit, gjithçka nga aktgjykimi ndaj Krivaqës e Sejdiut

Me burg të përjetshëm u dënua Dardan Krivaqa, i dyshuari kryesor për vrasjen e 18-vjeçares, Marigona Osmani nga Gjykata Themelore në Ferizaj.

Ndërsa të akuzuarit Arbër Sejdiu i janë shqiptuar 15 vjet burgim për ndihmë në kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”.

Dy të akuzuarit, Krivaqa dhe Sejdiu, megjithatë u liruan nga akuza e dhunimit, përkatësisht ndihmës në kryerjen e dhunimit, pasi sipas Gjykatës, nuk ka pasur prova të mjaftueshme për të vërtetuar një gjë të tillë.

Në një përgjigje për Portalin Dukagjini, Muhabi Osmani babai i vajzës së ndjerë Marigona Osmani, ka deklaruar se ndonëse u nda i kënaqur me vendimin e gjykatës për caktimin e burgimit të përjetshëm ndaj Krivaqës, një ankesë do ta paraqes ndaj vendimit të dënuarit të dytë, Arbër Sejdiu.

“Jemi të kënaqur”, tha shkurt ai.

Kur u pyet për vendimin e shqiptuar ndaj Sejdiut, ai u shpreh se “Do të paraqesin ankesë”.

Njësoj deklaroi edhe avokati i familjes së Marigona Osmanit, Gazmend Rexhepi i cili ka paralajmëruar ankesë pas aktgjykimit të shpallur nga Gjykata për të akuzuarit e vrasjes së 18-vjeçares Marigona Osmani.

Në një fjalë para mediave, Rexhepi ka deklaruar se sikurse i akuzuari kryesor, Dardan Krivaqa, edhe i akuzuari Arbër Sejdiu meritonte burgim të përjetshëm.

“Akuzuari i dytë është kokë e këmbë i bashkëngjitur në bashkëkryerje, jo në ndihmë. Sepse këtë e vërtetojnë edhe provat e video-incizimet, sepse në bazë të tyre ka pasur raste ku i akuzuari i parë ka dalë nga banesa dhe viktima ka qenë në dhomë nudo dhe  i akuzuari i dytë ka hyrë aty. Ka qenë direkt i përfshirë në vrasje. Unë do ta paraqes ankesën, qëndroj prapa pretendimeve të mia që të dy të akuzuarit meritojnë burim të përjetshëm”, ka deklaruar ai.

Tutje, Rexhepi ka theksuar përsëri se vrasja e të ndjerës mbetet vrasja më e rëndë në periudhën e pasluftës, sepse kronologjia e kësaj vrasjeje ka zgjatë 72 orë më herët se ajo të ndërrojë jetë.

Në Gjykatore pati edhe kërcënime.

“Shpejt shkojnë 15 vjet”, iu tha Sejdiut nga ana e familjarëve të së ndjerës.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka reaguar pas vendimit të Gjyqësorit ndaj të akuzuarve për vrasjen e Marigona Osmanit, Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu.

Me anë të një postimi në Facebook, Osmani ka deklaruar se vendimi duhet të shërbejë si një mesazh mbi ata që përdorin dhunën ndaj grave, veprimi i cili, thotë Osmani, nuk do të tolerohet.

“Autorët e femicidit meritojnë dënim kapital. Ashtu siç u dënua sot vrasësi e torturuesi i Marigona Osmanit. Le të jetë ky një mesazh për të gjithë ata që zgjedhin dhunën ndaj grave si mjet. Dhuna nuk do të tolerohet! Femicidi do të ndalet!”, ka shkruar Osmani.

Jo më ndryshe reagoi edhe Ministrja Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se ndërgjegjja kolektive mund të jetë më e qetë”pas dënimit maksimal të shqiptuar nga Gjykata në Ferizaj ndaj dy të akuzuarve për vrasjen e Marigona Osmanit.

Në një shkrim në Facebook, Haxhiu e ka cilësuar të drejtë gjykimin për rastin e vrasjes së 18-vjeçares në Ferizaj.

“Gjykim i drejtë për krimin mizor”, ka thënë ministrja. “Gjykata Themelore në Ferizaj shqiptoi dënimin maksimal ndaj një prej krimeve më mizore të shkaktuara viteve të fundit, dhunës deri në vdekje ndaj Marigona Osmanit nga krimineli Dardan Krivaça dhe bashkëpunëtori në krim, Arbër Sejdiu”.

Gjithçka rreth rastit të Marigona Osmanit

Në gusht të vitit 2021, e ndjera Marigona Osmani ishte dërguar pa shenja jete në Qendrën Emergjente të Ferizajt, e lënë në spital nga dy të akuzuarit, Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu.

Ky i fundit akuzohet për dy vepra, atë të vrasjes së rëndë dhe ndihmesës në kryerje të aktit të dhunimit. I njëjti ishte arrestuar dy ditë para të dyshuarit kryesor, Dardan Krivaqa.

Në aktakuzën e përgatitur nga prokurori i çështjes, Valdet Osmani, tregohej në mënyrë të detajuar matretimi i të ndjerës.

“Në intervale kohore nga ora 10:56 deri në orën 14:43, i pandehuri i parë merr një shkop, e së bashku me të pandehurin e dytë hyjnë në dhomë dhe e godasin në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtës i shkaktojnë, dhimbje të mëdha fizike dhe psikike, ku nga goditjet pëson politrauma-lëndime të shumëfishta, ku vdekja shkaktohet drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik…”, thuhet në Aktakuzën e Prokurorisë.

Në seancën fillestare, Sejdiu ishte deklaruar i pafajshëm gjersa Krivaqa ishte mbrojtur në heshtje. Të njëjtën nuk e bëri në seancën e tetorit të 2022.

Gjersa kishte shprehur ngushëllime, Krivaqa kishte mohuar pretendimet e akuzave e njëjtë, kishte deklaruar edhe Sejdiu duke mos pranuar fajësinë.

Prindërit e të ndjerës nuk ishin të vetmit që kishin dëshmuar. Krahas tyre, dëshminë e kishte dhënë edhe punëtori i kompanisë së kamerave dhe djali i dajës së Krivaqës.

Ky i fundit dyshohej nga ana e Krivaqës për tradhti me të ndjerën, ndërsa punëtori i sigurimit ishte kontaktuar disa herë nga Krivaqa për t’i kontrolluar kamerat e sigurisë së ambienteve të banesës së tij.

Pasi u nxjerrë i aftë psikiqikisht, gjykimet ndaj Krivaqës vazhduan me një administrim të mëtejshëm të provave.

Në seancat në vazhdim, Sejdiu dëshmoi mbi tri orë për tmerrin që kishte parë, duke thënë se gjendjen e rëndë si të Marigonës nuk e kishte parë as në filma.

Në seancën para kësaj të së premtes, u deklarua edhe Krivaqa.

Ai tha se askush nuk e ka dashur të ndjerën sa ai.

Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën, i akuzuar për vrasjen e 18-vjeçares, Marigona Osmani. Vendimi u prit me duartrokitje nga të pranishmit.

Ndërsa, të akuzuarit Arbër Sejdiu i janë shqiptuar 15 vjet burgim për ndihmë në kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”.