Vrasja

Vrasja e Lulzim Fejzullahut, 10 vjet burgim për njërin e 9 për tjetrin të akuzuar

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar dy të miturit që e rrahën për vdekje Lulzim Fejzullahun më 14 janar në Podujevë.

Njëri prej tyre është dënuar me nëntë vjet e tjetri me dhjetë.

Familja e Fejzullahut dhe avokati ka thënë se vendimin do ta apelojnë.

Lulzim Fejzullahu ishte rrahur brutalisht më 14.01.2024 në Podujevë.

Sipas raportit policor të datës 15.01.2024, ai fillimisht kishte pranuar tretman mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë dhe më pas ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Në këtë raport gjithashtu u tha se “njësiti policor në vendin e ngjarjes ka konfiskuar një thikë dhe një veturë. Gjashtë ditë më vonë, më 20.01.2024, Lulzim Fejzullahu vdiq në QKUK.

Prokuroria, rastin fillimisht e kishte iniciuar si “vrasje në tentativë”, e më pas është ricilësuar në “vrasje”.

Sipas Prokurorisë, dy të miturit e kishin goditur 18-vjeçarin me shkop, duke shkaktuar lëndime trupore, ku si pasojë e këtyre lëndimeve të marra, viktima ishte dërguar në QKUK.