Vrasja e kosovarit që tronditi Gjermaninë, sot bëhet varrimi në Kosovë

Të mërkurën e javës së kaluar një ngjarje e rëndë tronditi Gjermaninë. Protagonistët nga Kosova, pas një mosmarrëveshje që kishin pasur mes vete shkaku i bizneseve, vendosën që mospajtimet t’i zgjidhnin me plumba. Para gruas e fëmijëve, në parkingun e një qendre tregtare, u vra Fatos Lumi nga Suhareka, derisa vëllai i tij, 46 vjeç, mbeti i plagosur rëndë. Të dyshuarit kryesorë janë familjarë të të vdekurit e të plagosurit. Fatos Lumi varroset sot në fshatin Bllacë.

Sot i jepet lamtumira e fundit Fatos Lumit që u vra javën e kaluar në qytetin e Absenbergut në Bavarinë e Poshtme.

Lajmin për varrimin e tij e kanë konfirmuar familjarët e të ndjerit.

Të njejtët thanë se Lumi do të varroset sot në fshatin Bllacë në orën 14:00.

Si kishte ndodhur ngjarja tronditëse?

Kishin më shumë se 20 vjet që ishin duke jetuar në shtetin gjerman. Për tërë këtë kohë, deri një vit më parë, familja Lumi nga Suhareka kishte punuar së bashku me disa familjarë të saj, nga komuna e Lipjanit, në një biznes të përbashkët.

Probleme së bashku nuk kishin pasur deri para një viti. Kur bizneset e tyre u ndanë dhe të dy familjen filluan të punojnë me firmat e tyre të profilit të njëjtë, aty filloi edhe sherri.

Një vit më parë, familja nga Lipjani e kishte “paralajmëruar” familjen Lumi nga Suhareka që të mos vazhdojë të punojë në punën e njëjtë, pasi që si duket kishte vështirësi me punën e klientëve.

Për një vit, burra të ndryshëm kishin tentuar të ndërmjetësonin një marrëveshje mes dy familjeve, mirëpo një gjë e tillë nuk u arrit. Problemin familja nga Lipjani vendosi ta zgjedhë duke shkrepur plumba.

Pasditen e të mërkurës, policia në qytetin e Abensbergut në Bavarinë e Poshtme u njoftua për të shtëna armësh që u dëgjuan në parkingun e një supermarketi në rrugën “Strabuiner”.

Aty u bë e ditur se nga plumbat vdiq në vend të ngjarjes, në parkingun e dyqanit, një 39-vjeçar. Bëhet fjalë për Fatos Lumin nga Suhareka. Ai në momentin kur u qëllua për vdekje, kishte qenë së bashku me gruan dhe fëmijët, të cilët e panë krejt ngjarjen.

Dy vëllezërit, 30 dhe 41 vjeç, nga Lipjani, krimin nuk e lanë me kaq. Pasi vranë Fatos Lumin u nisën për të gjetur edhe vëllanë e tij të madh Haki Lumin, i cili është pronar i firmës. Pas gjysmë ore u dëgjuan edhe të shtënat tjera.

Në një udhëkryq në qytetin e Abensberg, dy makina u ndalën pranë njëra-tjetrës. Në to ishin dy burrat nga Lipjani dhe Haki Lumi nga Suhareka.

Të dy këta, pas një grindje që patën me Lumin, e plagosën 46-vjeçarin rëndë. I njëjti ka disa ditë që është duke qëndruar në gjendje kome në spitalin e Gjermanisë.

Dy të dyshuarit fillimisht u arratisën, mirëpo, polica arriti t’i gjente pas një operacioni të madh kërkimi, ku u përfshinë edhe helikopterë policie. Të njëjtët nuk rezistuan, derisa arma me të cilën u krye krimi u sekuestrua.

Vëllezërit nga Lipjani të cilët janë të dyshuarit kryesorë për vrasjen dhe plagosjen, janë 41-vjeçari Shpejtim G. dhe vëllai i tij Petrit G. (nuk janë emrat e tyre të vërtetë), që tashmë janë arrestuar.

Një fqinj, që kishte njohur dy familjet, ka thënë se vëllezërit që u qëlluan kishin jetuar në shtëpinë e dorasit, derisa ishin të punësuar prej tyre. Kohë më parë ishin shpërngulur dhe kishin themeluar kompaninë e tyre. Problemet filluan kur këta u bënë konkurrentë.

Mirëpo, kjo nuk dihet ende nëse është motivi, thotë policia. Fillimisht duhet të merren në pyetje të gjithë të dyshuarit dhe dëshmitarët.

Në anën tjetër, 16-vjeçarja Carina S. ka dëshmuar pak minuta pas vrasjes që ndodhi të mërkurën në mbrëmje, se ajo ishte së bashku me një mikun e saj kur dëgjuan të shtënat.

“Unë isha me mikun tim në farmaci, kur dëgjuam për trazirat jashtë. Kishte policë kudo e helikopterë. Asgjë nuk po punonte, në parking ishte një person pa ndjenja. Dëgjuam nga një punonjës i qendrës tregtare se dikush ishte qëlluar e se dorasi ishte në arrati. Ne ishim tmerrësisht të frikësuar. E tmerrshme ajo që ndodhi dhe që dikush duhej të vdiste”.

Në një rrëfim për Gazetën Express, Sejdi Oruqi, familjar i familjes Lumi, thotë se kishte një vit që mes tyre kishte filluar të kishte mospajtime, krejt kjo shkaku i një firme, që familja Lumi kishte hapur së fundmi. Firma ishte e profilit të njëjtë si ajo e dorasit, e kjo si duket kishte ngritur mospajtime mes tyre.

Të dy familjet kishte një vit kohë që nuk po komunikonin mes vete, derisa Oruqi thotë se familja Lumi disa herë ka dërguar njerëz që të ndërmjetësojnë për pajtim.

“Probleme këta kanë pasë, si më ka thënë vëllai i tij. Këta kanë pasë edhe vjet një mosmarrëveshje, sepse kanë punu më herët bashkë me dorasin. Emrin njëri e ka Shpejtim, dorasi është i Komunës së Lipjanit. Janë familjarë mes vete (djem të dajës së babës), njihen mes vete familjarisht. Restorante kanë pastru, motorë të ajrit, ventilla në kuzhina që janë, që bëhen me yndyrat me gjana. Këta kanë 30 vjet në Gjermani. Prej fillimit kanë punu bashkë”, thotë ai.

“Hakiu që është bashkë, ky ka punu me një vëlla të tyre, kanë punu gjithmonë bashkë, me një firmë, por tani Luli e çeli një firmë të vet, edhe ky një firmë të veten, edhe aty kanë pasë diçka mosmarrëveshje mos me i hi në punë njëri-tjetrit. Para një viti e kanë pasë keqkuptimin, s’ka pasë rrahje, vetëm që nuk ishin duke folur qe një kohë. Ata banojnë afër në Gjermani shtëpitë i kanë afër. Kësi gjana, jo, nuk kanë pasë, veç që kanë çu njerëz me i pajtu, që me punu secili punën e vet. Këta vjet kur e kanë pasë mosmarrëveshjen ka ardhë puna edhe s’kanë folë mes vete”, shton tutje.

I njëjti ka shpjeguar edhe se si ka ndodhur ngjarja tragjike.

“Ka shku me ble harxh me gruan, pardje në mbrëmje, ka qenë me gruan dhe fëmijën. Ka qenë në prezencë të tyre, kur e ka gjujt edhe e ka vra. Atë tjetri (Hakiu) pastaj e kanë vra më vonë. Edhe ata e ka rrokë në qafë”, shton ai.

I njëjti ka shpjeguar se tashmë Haki Lumi është në gjendje të rëndë, derisa mjekët sot gjatë ditës u kishin thënë se kishte ndërruar jetë. Kjo kishte dalë të mos jetë e vërtetë.

“Një mjek ka thanë që ka vdek edhe Hakiu, po ai për momentin është gjallë, në gjendje kome, i kanë thënë mjekët që ka pasur vdekje klinike, vetëm mjeku e ka konfirmu fillimisht, tash është në gjendje shumë të rëndë”, shton, derisa shpjegon se ende nuk dihet se kur do të kthehet për në Kosovë trupi i pajetë i të ndjerit.

loading…