Gjykata Themelore

Vrasja e Ivanoviqit, avokatët thonë se dëshmitarët janë të frikësuar nga bandat në veri

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar gjykimi në rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq, ku ka dëshmuar një pjesëtar i Policisë, raporton Ekonomia Online.

Avokati Tomë Gashi, i cili përfaqëson Rade Basaran, i akuzuar në këtë rast, pas përfundimit të seancës, tha se dëshmitari i radhës nuk e ka përmendur asnjërin nga të akuzuarit gjatë paraqitjes së tij para trupit gjykues, raporton Ekonomia Online.

Madje ai tha se janë të frikësuar dhe nuk mund të jenë të pavarur në deklarimet e tyre, kjo për faktin që në veri fuknsionojnë banda kriminale që u dëshmua edhe raportin e Departamentit amerikan.

“Dëshmitari ka deklaruar se ka pasur pjesëtarë të xhandarmërisë serbe dhe ka pasur dhe ka. Sipas tij edhe grupe të organizuara kriminale që janë quajtur ‘Mjekroshët dhe Qelat’ dhe të gjithë këta kanë qenë të organizuar nga grupi kriminal i Rajdoqiqit. Sa i përket personave të akuzuar në këtë rast ai nuk ka përmend asnjërin prej tyre dhe ka deklaruar se nuk e njeh asnjërin prej tyre që të jetë prestarë i këtij grupi. Por në fund ka ndryshuar paksa deklaratën duke thënë se nuk mund të jep detaje për shkak të sigurisë së tij personale dhe ka mbetur krejtësisht në deklaratën e tij të mëhershme. Ne besojmë që të gjithë dëshmitarët që deri më tani kanë deklaruar dhe që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës dhe që janë të nacionalitetit serb kanë deklaruar në mënyrë të heshtur apo direkt se janë të frikësuar nga grupet kriminale në veri. Dëshmitari i fundit i ka deklaruar edhe atë që Departamenti amerikan e ka thënë, disa prej tyre me emra dhe me mbiemra dhe është e qartë që një pjesë e madhe e tyre janë të frikësuar dhe nuk mund të jenë të pavarur në deklarimet e tyre siç do të duhet të ishin në gjykatë”.

Avokati mbrojtës i Silvana Arsoviq Musa Damati, tha se klientja e tij nuk ka qenë e përfshirë në raportin e ShBA-së për sanksionin e një grupi në veri të vendit të dyshuar për krim e korrupsion, raporton EO.

“Klientja ime nuk është përmendur në raportin e fundit që ndërlidhet me sanksionet e ShBA-së dhe Silvana Arsoviq nuk do të përmendet asnjëherë në raportet e tilla dhe për këtë garantoj unë si avokat i saj. Për arsye se ajo ka qenë e angazhuar dhe vazhdon të jetë e angazhuar që të instaloj në komunitetin e saj pluralizmin mendimin e lirë”.

Halimi, avokat mbrojtës i Marko Roshiq, i akuzuar për përfshirje në vrasjen e politikanit serb, ka kërkuar nga mediet që të kenë kujdes në raportimet për këtë rast. Sipas tij, dëshmitari i radhës nuk ka ofruar ndonjë të dhënë që e lidh klientin e tij me këtë vrasje.

“Së pari sipas mendimit tim mediat duhet të kenë kujdes kur iu referohen dëshmive e sidomos është edhe detyrë edhe anë humane që mundësisht emrat e dëshmitarëve mi paraqit me iniciale. Sa i përket kësaj dëshmie të sotme unë e kam përshtypjen dhe jam i autorizuar më së shumti që të flas në raport me klientin tim, siç e pat ky dëshmitar rreth 350 faqe që janë nxjerrë nga ekzaminimi i telefonit të tani të ndjerit Ivanoviq janë dërguar nga ky dëshmitar, do të thotë ato foto, tekste mesazhe, përmbajtje lidhur me ngjarje e të gjitha ato asnjëra nga to nuk i ka incizuar aj ose nuk i ka nxjerr ai ato fotografi. Është ky dëshmitari i cili i ka furnizuar, është çështje tjetër se çfarë qëllime se unë mund t’ia kryej dikujt një shërbim, t’ia dërgoj një fotografi ose një mesazh. Prej fillimit të vitit 2017 deri në fund të vitit do të thotë dy vjet në fund të vitit 2018 janë ato raporte prova materiale të cilat në mënyrë të ligjshme gjykata i ka nxjerrë në mënyrë të ligjshme dhe e ka kryer ekspertizën e telefonave e tani të ndjerit. E dëgjuat edhe vet që ky dëshmitar në raport me klientin tim nuk ishte në njohuri se i takonte këtij apo atij grupi dhe nuk ishte në dijeni se disa shënime që supozohet se janë të përpunuara nga policia ky dëshmitar i ka shkruar ose i ka dhënë informatat lidhur me përkatësinë e grupeve etj. Kështu që konsideroj se edhe me këtë dëshmi nuk është zbardh diçka në raport me dyshimet të cilat i vijnë në barrë klientin tim. Pavarësisht faktit e shihet se ky dëshmitar i ka dërguar fotografitë e veturës së të akuzuarit dhe është një ndër provat që klienti im mbahet në paraburgim”.

Të akuzuar në këtë rast janë Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Zharko Jovanoviq, Nedeljko Spasojeviq, Rade Basara dhe Dragisha Markoviq. Ish-politikani serb i Kosovës, Oliver Ivanoviq, u vra më 6 janar të viti 2018.