Vrasja e grekut në Gjirokastër: Tensione ndermjet Shqipërisë dhe Greqisë, reagon ashpër edhe Tirana

Disa minuta pas deklaratës aspak “miqësore” nga ana e Ministrisë së Jashtme greke nën drejtimin e kryeministrit Tsipras, ka ardhur dhe reagimi i qeverisë shqiptare në lidhje me vrasjen e ekstremistit grek Kostandinos Kaçifa në Bularat të Gjirokastrës.

Reagimi vjen nga Ministria e Jashtme shqiptare e cila sqaron palën greke se rrethanat e vrasjes së 35 vjeçarit tashmë janë bërë të ditura zyrtarisht nga policia e shtetit shqiptar.

Në reagim, Ministria shqiptare shprehet e keqardhur dhe e zhgënjyer nga pala greke për reagimin e saj.

DEKLARATA:

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, bashkë me keqardhjen për ngjarjen e ndodhur sot në Bularat, Gjirokastër, ku humbi jetën shtetasi Konstandinos Kacifa, shpreh po ashtu keqardhjen për politizimin e pajustifikueshëm të ngjarjes në shtetin fqinj.

Rrethanat në të cilat humbi jetën shtetasi Kacifa, janë bërë të ditura zyrtarisht nga autoritetet kompetente shqiptare. Policia e shtetit ka sqaruar me detaje se kjo është një ngjarje totalisht e izoluar nga aktivitetet e sotme ne zonë dhe nje rast flagrant agresioni ekstremist ndaj Policisë së Shtetit Shqiptar.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh zhgënjim për reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, e cila jo vetëm nuk dënon sulmin me armë ndaj forcave tona të rendit, po flet për “humbje jete të papranueshme”.

Duke bërë thirrje për maturi dhe mosngjyrime politike e diplomatike të këtij rasti sa të qartë dhe të paprecedentë, i sigurojmë fqinjët tanë se Shqipëria është vend i sigurtë e i qetë për të gjithë shtetasit e saj, përfshirë pa asnjë dallim ata me kombësi greke.