Vrasja e gazetarit saudit, DASH: Ende nuk kemi një vendim përfundimtar për përgjegjësit

Pavarësisht njoftimeve se CIA mendon që urdhrin e vrasjes së Jamal Khashoggit e dha vetë princi i Kurorës, Muhamed bin Salman, administrata amerikane po tregohet e kujdesshme në nxjerrjen e përfundimeve.

DASH thotë se qeveria nuk ka dalë ende me një vendim përfundimtar se kush janë përgjegjësit e kësaj vrasjeje. Raporti i Agjencisë Qendrore të Zbulimit që përfshinte qartazi princin Mohammed bin Salman, bie në kundërshtim me atë të Arabisë Saudite, prokurori i së cilës më herët e kishte shfajësuar krejtësisht udhëheqësin saudit.

Zyrtarët amerikanë thonë se CIA arriti në përfundimin se15 agjentë arabë shkuan me një avion të qeverisë saudite në Stamboll dhe vranë Khashoggin në konsullatën saudite.

Khashoggi, i cili shkroi për gazetën The Washington Post dhe ishte një kritik i princit të kurorës saudite, u vra në konsullatën arabe në Stamboll, në 2 tetor, ndërsa po përpiqej të merrte dokumente për martesën e tij të ardhme me një grua turke.

Sauditët pretendojnë se vrasja ishte aksidentale dhe se zyrtarët po përpiqeshin ta detyronin Khashoggin të kthehej në Mbretëri.