Vrasja e dy zyrtarëve të PDK-së në Pejë, personi i arrestuar është dërguar në mbajtje

Një vrasje e dyfishtë ka tronditur mbrëmë qytetin e Pejës, ku nga arma e zjarrit të vdekur mbetën Astrit Ademaj, kandidat i PDK-së për kryetar të Pejës, dhe Blerand Kadrijaj ish-kandidat i kësaj partie për kryetar të Deçanit.

Nga të shtënat me armë, i plagosur ka mbetur edhe vëllai i të ndjerit Astrit Ademaj. Lidhur me rastin, Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka dhënë detaje shtesë.

“Është raportuar për të shtëna me armë zjarri. Njësitë relevante policore kanë dal në vendin e ngjarjes, për shkak të plagëve të marra, viktimat janë dërguar në spitalin e Pejës për trajtim mjekësor. Nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e dy viktimave meshkuj kosovarë, ndërsa viktima e tretë për shkak të plagëve është dërguar për tretman në QKUK-Prishtinë”, thuhet në raport.

Më tej policia njofton se në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili pas analizimit të rastit ka bërë ri- cilësimin e viktimës së tretë në të dyshuar dhe me vendim të prokurorit, tani i dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.