Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit përmes një komunikate të përbashkët kanë reaguar përsëri për vrasjen e 9-vjeçarit në Fushë Kosovë.
Në këtë komunikatë theksohet bashkëpunimi mes këtyre dy institucioneve për zbardhjen e plotë të rasit dhe rishikimin e procedurave e veprimeve.
“Më 17 korrik, një djalosh i vogël nëntë vjeç u vra në Fushë Kosovë. Vendi ynë, institucionet e drejtësisë dhe qytetarët janë të tronditur nga humbja tragjike e djaloshit të ri. Me zemër dhe shpirt ndajmë dhembjen me familjen dhe miqtë”, thuhet në njoftim, transmeton Ballkani.info.
“Vrasësi i dyshuar është arrestuar dhe po mbahet në paraburgim. Policia e Kosovës dhe Kryeprokurori i Shtetit i Republikës së Kosovës, po punojnë së bashku në rishikimin e plotë të procedurave, veprimeve dhe rrethanave të kësaj tragjedie të hatashme”, thekson tutje komunikata.
Prokuroria dhe Policia theksojnë se do të punojnë me zell për të trajtuar mangësitë e identifikuara dhe për të zhvilluar protokolle më të mira, të cilat do të mbrojnë më mirë qytetarët, veçanërisht ata që janë më të cenueshëm në shoqërinë tonë.
“I shprehim ngushëllimet tona më të thella familjes në këto momente të rënda”, përfundon komunikata. /Ballkani.info







