Vranë dhe groposën të riun shqiptar për ta grabitur, 3 të akuzuarit përballen me drejtësinë

Tre të akuzuarit për vrasjen e 31-vjeçarit shqiptar i cili u gjet i varrosur në plazhin e Kartelës në Greqi, kanë dalë para gjykatës ditën e sotme.

Sipas gjykatës, shkak për ekzekutimit mizor të të riut shqiptar është bërë shuma e madhe e parave që ky i fundit ka pasur me vete, rreth 12 mijë euro.

Siç rezultoi nga hetimet e policisë, viktima kishte mbërritur në Qiparisia pak ditë më parë pasi kishte kaluar nga Sparta.

Mbrëmjen e së dielës, 31-vjeçari së bashku me një tjetër shqiptar 30-vjeçar, një greke 30-vjeçare dhe një 24-vjeçar rom, po argëtoheshin në një lokal në Kyparisia.

Siç tregohet nga kamerat e sigurisë, grupi ka hipur në një makinë, ku autoritetet kanë vënë në dukje se kjo kohë përkon me kohën e parashikuar të krimit, raportojnë mediat greke.

Tre autorët e dyshuar e kanë joshur 31-vjeçarin në plazhin e Kartelës, ku e kanë rrahur dhunshëm me send metalik në kokë dhe në trup për t’i marrë paratë dhe më pas e kanë varrosur në rërë për të mbuluar gjurmët.

Si u zbulua akti i tmerrshëm

Trupi i pajetë i të riut shqiptar është gjetur nga një qen, të cilin shefi i tij e kishte nxjerrë për shëtitje në zonën ku shqiptari ishte groposur.

Më pas u njoftuan autoritetet, të cilat morën deklarata nga personat e zonës. Policia duket se ka nisur qysh herët të arrijë në identitetin e autorëve, por është dashur të “lidhë” të gjitha provat.

Mbrëmjen e së martës policia identifikoi vrasësit, 30-vjeçarin shqiptar, i cili ishte arrestuar më herët për një rast droge, si dhe 30-vjeçaren greke, nënë e 2 fëmijëve nga Pirgos.

Ata u arrestuan në afërsi të Zevgolatio-s dhe iu gjetën gjithsej 5300 euro, të cilat iu konfiskuan si pjesë e 12 mijë eurove që dyshohet se posedonte viktima.

Urdhri i arrestit është lëshuar edhe për 24-vjeçarin rom i cili dyshohet se është i përfshirë në krim dhe pak orë më pas është arrestuar në banesën e tij.