Kandidati i PDK-së

Voton Naim Fetahu, fton qytetarët të dalin në zgjedhje

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Podujevës, Naim Fetahu, tashmë ka votuar në qendrën e votimit në fshatin Dobratin.

Ai ka ftuar qytetarët të dalin për ta shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar.

“sot është një ditë e veçantë për qytetarët e komunës tonë. Zgjedhjet lokale për qytetarët e komunës janë më të rëndësishme se ato nacionale sepse prekin direkt në jetën e qytetarëve, mirëqenien, shërbimet shëndetësore. I ftoj të gjithë qytetarët të dalin në zgjedhje, të mos ketë asnjë problem, të përfundojmë në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka deklaruar Fetahu.

Fetahu tha se deri më tani procesi zgjedhor ka shkuar mirë.

“Me sa di deri më tani procesi është duke ecur mirë, me ndonjë lëshim të vogël, por në përgjithësi është duke shkuar mirë”, ka deklaruar Fetahu.

Ndërkohë, tashmë ka votuar edhe kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Podujevës, Nexhmi Rudari.

Pasi votoi në këto zgjedhje ftoi qytetarët të dalin në zgjedhje por edhe të mbajnë maska dhe t’i respektojnë masat anti-Covid.

“Falenderoj komisonerët e vëzhguesit që u zgjuan të fillojnë një punë të mbarë. Dita dhe zgjedhjet janë të jashtëzakonshme, por edhe situata e tillë. ftoj qytetarët të votojnë por të mbajnë maska dhe distancën që të kalojmë edhe pandeminë“, tha ai.

Zgjedhjet në Podujevë po mbahen për shkak se kryetari i mëparshëm Agim Veliu dha dorëheqje sepse mori postin e ministrit të Punëve të Brendshme.