Në Kuvendin e Kosovës me 88 vota për është miratuar marrëveshja ndërkombëtare – Ligji për ratifikim e këmbimit të notave diplomatike me SHBA-në.
Partia Demokratike e Kosovës ka konfirmuar se do ta votojë këmbimin e notave diplomatike.
Abelard Tahiri nga kjo parti, tha se Grupi Parlamentar i PDK-së, nuk e ka të qartë “pse duhet votuar në Kuvendin e Kosovës” kjo pikë, ku sipas tij, fillimisht do të duhej të miratohej përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme.
“Ne kemi të drejtë ta dimë se pse Kosova po e trajton këtë çështje ndryshe. Pse Kosova nuk i kthen notë diplomatike SHBA-së, pa ardhur kjo pikë fillimisht në Kuvendin e Kosovës”, u shpreh ai.
Anton Çuni nga Lidhja Demokratike, ka thënë se partneriteti i Kosovës me SHBA-në është tejet i rëndësishëm, në veçanti në fushën e sigurisë.
“Jemi të vetmit që kësaj note verbale, i përgjigjemi me projektligj. Nuk po flasim për dy procese analoge. Nota verbale do të duhej të bëhej nga Ministria e Punëve të Jashtme”, u shpreh ai.
Edhe Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, “ka konfirmuar se e mbështet votimin e këtij projektligji”.
Disa deputetë, e kanë votuar këtë projektligj por e kanë kritikuar sjelljen e saj në Kuvendin e Kosovës dhe se pse nuk ka shkuar përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, nuk ka qenë e pranishme në Kuvendin e Kosovës për ta marrë fjalën.







