Ramush Tahiri

“Vota e Etem Arifit ishte legjitime, Kurti s’mund të kthehet kryeministër”

Analisti i njohur kosovar, Ramush Tahiri, në emisionin “Debat” të RTK-së e ka sqaruar mënyrën se si zgjedhet presidenti i ri i vendit.

Ai ka thënë se deri më tash asnjë kandidat nuk është zyrtarisht i certifikuar për garën e presidentit dhe se deri më tash kemi vetëm nominim nga një parti, siç është rasti me Ramush Haradinajn, kryetarin e AAK-së.

“Kuvendi fillimisht duhet t’i ketë 80 vota për të nisur seanca për zgjedhjen e presidentit, prandaj situate aktuale është në fillim dhe s’ka zhvillim tjetër. Nëse AAK-ja insiston se Haradinaj është kandidati i vetëm ose shkojmë në zgjedhje, ose PDK-ja insiston njëjtë vendi shkon në zgjedhje, sepse Kuvendi nuk i ka 80 vota për të nisur seancë”, ka thënë Tahiri.

Ai ka folur edhe për vendimin që do ta merr Gjykata Speciale në rastin e votës së deputetit Etem Arifi për Qeverinë Hoti.

Sipas tij, Kushtetuesja nuk do të merr vendim që votën e tij ta shpall të pavlefshme.

“Deputeti është legjitim derisa t’i merret mandati nga Kuvendi dhe derisa komisioni për imunitet dhe mandate nuk ia merr mandatin dhe në vend të tij nuk vjen dikush tjetër”, ka thënë Tahiri.

Tahiri tutje ka thënë se Arifit nuk mund t’i merret mandati nga Gjykata pasi që ai është përfaqësues i popullit.

“Kushtetuesja e konsaton gjendjen dhe ajo tash nuk ka lëndë, por po bëhet një kthim në pozicion. Te rasti i Pacolli ishte ndryshe, prandaj Kurti nuk kthehet në detyrë në asnjë mënyrë. Nëse ndodh kështu nuk është procedurë. Nuk është votë përcaktuese ajo e Arifit, sepse po mos të ishte ai, do të ishte dikush tjetër. Ka qenë deputet i certifikuar dhe çdo vendim është legjitim”, ka thënë Tahiri.