Vonesat në publikimin e aktgjykimit – dyshime se mund të riformulohet pika për dënimin alternativ (Për Kurtin e të tjerët)

Të hënën mbushen një javë prej se Gjykata Kushtetuese publikoi informatën për pavlefshmërinë e votës së Etem Arifit, por jo edhe aktgjykimin e plotë. Për pasojë, Kryetarja e Kuvendit ende nuk e ka shpallur datën e zgjedhjeve. Kuvendi po ashtu është në pritje të udhëzimit nëse duhet shpërndarë legjislatura aktuale me dekret apo nëse ky institucion bëhet jofunksional momentin që shpallen zgjedhjet e reja. E vonesat në publikimin e aktgjykimit kanë ngritur dyshime se mund të riformulohet pika e cila ua ndalon garën për deputetë të dënuarve në tre vjetët e fundit

Shpallja e datës së zgjedhjeve ka mbetur peng i publikimit të plotë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, për rastin e deputetit Etem Arifi. Të hënën mbushen një javë prej nxjerrjes së informatës nga Kushtetuesja për vendimin sipas të cilit zgjedhja e Qeverisë Hoti nuk ishte në pajtueshmëri me Kushtetutën, sepse nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Qeveria kishte marrë mbështetjen e 61 prej 120 deputetëve sa ka Kuvendi, pra minimumin që kërkohej, përfshirë edhe të deputetit Arifi, që nga Kushtetuesja u cilësia e pavlefshme.

Dilema tjetër është nëse duhet shpërndarë legjislatura aktuale me dekret apo nëse Kuvendi bëhet jofunksional momentin që shpallen zgjedhjet e reja. Në administratën e Kuvendit kanë thënë se varësisht nga përmbajtja e aktgjykimit do të ndërmerren hapat proceduralë.

“Paraprakisht nuk mund të paragjykojmë hapat e mëtejmë”, ka thënë për “Kohën” sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani i ka finalizuar javën e kaluar konsultat me partitë politike, por data e zgjedhjeve nuk mund të kumtohet para se aktgjykimi të publikohet në gazetën zyrtare.

 Hasani: Kushtetuesja t’i ketë parasysh afatet

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka vlerësuar se aktgjykimi nuk do të duhej vonuar kaq shumë marrë parasysh afatet e shkurta kohore që i ka ushtruesja e detyrës së presidentes.

“Ata që janë përgjegjës duhet t’i kenë parasysh afatet dhe urgjentisht të veprohet brenda gjashtë muajve, prej kur e ka marrë detyrën zonja Osmani. Aktgjykimi duhet të bëhet publik sa më shpejt në mënyrë që të mos humbet kohë sepse janë kohë shumë të limituara. Nëse kalon afati gjashtë mujor është problem, përveç nëse ka një marrëveshje politike e cila menjëherë e plotëson atë vakum institucional që ngelet”, ka theksuar Hasani.

Ai ka ngritur dyshime se mund të tentohet riformulimi i pikës që ua ndalon garën për deputetë të dënuarve në tre vjetët e fundit, pa marrë parasysh çfarë dënimi u është shqiptuar.

“Ajo pjesë nuk mund të hiqet sepse është pjesë operative për të cilën ka vendosur gjykata. Ajo thotë se çdokush që ka një verdikt të formës së prerë për një vepër penale, i ndalohet hyrja në garë ose i ndërpritet automatikisht në të ardhmen. Ky është standardi i krijuar. Gjykata i ka dhënë supremaci ligjit në vend të Kushtetutës. Gjykata qe dy herë, edhe në rastin për masat gjatë pandemisë dhe rastin e fundit u ka dhënë rëndësi ligjeve”, ka thënë Hasani. Sipas tij, kjo është përmbysje e supremacisë kushtetuese.

“Me vendimin për rastin Hoti është siguruar supremacia e akteve të përgjithshme në vend se të ishte e kundërta. Do të thotë që ligji të jetë në përputhje me kushtetutën dhe çdo akt tjetër. Tash e kundërta është bërë. Kushtetuta duhet të jetë në fuqi me disa ligje të cilat i suprimojnë garancitë kushtetuese siç që kanë ekzistuar dhe ekzistojnë në kushtetutën tonë dhe 40 për qind të kushtetutave të Evropës, pra që garantojnë të drejtën zgjedhore, e cila mund të merret vetëm nëpërmjet një procedure gjyqësore, jo me ligj”, ka shtuar Hasani.

Në aktgjykimin e kushtetueses thuhet se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në asnjë dispozitë nuk kërkon që personave të dënuar me vepra penale t’u hiqet e drejta me vendim plotësues. Mjafton një vendim përfundimtar i gjykatës në tre vjetët e fundit për t’ua pamundësuar kandidatëve të zgjidhen deputetë.

“Megjithatë, Gjykata konsideron se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme nuk kërkon që personave të dënuar për vepra penale t’u shqiptohet medoemos si dënim plotësues ‘heqja e së drejtës për t’u zgjedhur’, në mënyrë që ata të mos lejohen të kandidojnë në zgjedhje parlamentare”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.

Përveç Arifit, me vendime të plotfuqishme gjyqësore janë dënuar edhe tre ish-deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë liderin e saj, Albin Kurti.

Më 18 shtator të vitit 2018 Kurti, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj Bujupi ishin dënuar me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit. Në Vetëvendosje kanë thënë javën e kaluar se Kurtit dhe të tjerëve nuk iu pamundësohet gara, sepse janë dënuar vetëm me kusht.

Paqartësitë normative rreth pikës që flet për dënimet e plotfuqishme janë shpërfaqur edhe në përgjigjet që kanë dhënë trupat përkatëse të Kuvendit dhe Komisioni Qendrore Zgjedhor gjatë shqyrtimit të çështjes nga Kushtetuesja.

Në lidhje me këtë, Gjykata ka potencuar nevojën që Kuvendi i Republikës së Kosovës me komisionet e tij, në bashkëveprim me institucionet gjegjëse, duke përfshirë edhe KGJK-në dhe KQZ-në, të qartësojnë dhe konsolidojnë bashkëpunimin ndër-institucional dhe aspektet normative që kanë të bëjnë me kandidimin në zgjedhje parlamentare dhe ushtrimin e mandatit të deputetit, nga ana e personave të dënuar për vepra penale.

Proces i gjatë deri në konstituimin e Kuvendit, Qeverisë dhe presidentit

Vonesat eventuale prej momentit të shpalljes së zgjedhjeve deri në certifikimin e tyre, siç ka ndodhur në të kaluarën, mund të prodhojnë një krizë tjetër institucionale.

Pas katër muajsh vendi mbetet edhe pa president – që është organi legjitimues i institucioneve të cilat do të dalin pas zgjedhjeve. Juristi Enver Hasani ka treguar procedurën që duhet ndjekur pasi të jenë certifikuar rezultatet.

“Së pari duhet të konstituohet legjislatura e re e Kuvendit me të gjitha organet e saj. Siç kemi thënë në rastin VLAN-i 2, duhet konstituuar të gjitha organet, për t’u konsideruar i tillë. Pastaj duhet të zgjidhet kryetari i Kuvendit. Nëse ushtruesja e detyrës ka ende mandat, atë e merr kryetari i ri, në mënyrë që të mandatohet pastaj qeveria e re. Mirëpo, edhe më mirë do të ishte sikur menjëherë të procedohej nga Kuvendi i konstituuar me zgjedhjen e presidentit të ri, i cili merr fuqi të plotë për ta mandatuar qeverinë”, ka thënë Hasani.

Sipas rregullores së Kuvendit, Kryesia e Kuvendit do ta vazhdojë mandatin deri në konstituimin e legjislaturës së re edhe.

“Gjatë fushatës zgjedhore Kryesia e Kuvendit e vazhdon punën, me qëllim që të ruhet vazhdimësia e punës së Kuvendit”, thuhet mes të tjerash Rregullore. Po ashtu, Kryesia e përgatit edhe seancën konstituive të legjislaturës së re.