Vonesa e Muratit në konferencë, zëdhënësi i Qeverisë tenton t’i fajësojë mediat

Gazetarët e mediave në Kosovë, pas 40 minutave pritjeje kanë bojkotuar konferencën e ministrave Hekuran Murati dhe Arbërie Nagavci. 

Por, zëdhënësi i Kurtit, Përparim Kryeziu, i cili prej ardhjes së tij në këtë pozitë tepër rrallë u përgjigjet gazetarëve, i ka dhënë vetes të drejtë që të sulmojë mediat, duke thënë se interesi i publikut nuk u vu në vend të parë.

“Shprehim keqardhje për atë që ndodhi sot. Vonesat në fillimin e konferencës për media ishin të arsyeshme meqë pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë kishte një takim të brendshëm të kabinetit qeveritar. Mbajtja e konferencës pas mbledhjes së Qeverisë ishte paralajmëruar paraprakisht. Me gjithë konsideratën për punëtorët e medieve që ishin prezent në ndërtesën e Qeverisë, besoj shumë që kjo situatë ka mundur të shmanget. Konferencat për media pas mbledhjes së Qeverisë janë me interes për publikun. Sot nuk pati konferencë për media sepse interesi publik nuk u vendos në rend të parë.”, ka shkruar ai.