Ursula von der Leyen

Von der Leyen thotë se Kosova do të jetë pa viza nga 1 janari

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i ka dhënë “fund çdo dyshimi” nëse qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza nga një janari i vitit 2024.

Ajo ka thënë se qysh tash mund ta festojmë liberalizimin e vizave.

“BE-ja është e përkushtuar për një të ardhme ku të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Unionit tonë. Kjo është një rrugë që BE-ja dhe Kosova do të ecin së bashku. Tashmë mund të festojmë faktin që Kosova do të jetë pa viza nga 1 janari”, shkroi von der Leyen.

Gjatë qëndrimit të saj në Kosovë, komisionerja evropiane la edhe të tjera mesazhe.

Pas takimit me Presidenten e vendit, Vjosa Osmani, Von der Leyen në konferencën e përbashkët për media tha se kryesit e sulmit të 24 shtatorit në Banjskë duhet të sillen para drejtësisë.

Derisa po fliste për planin e rritjes së BE-së në Ballkanin Perëndimor, presidentja e KE-së tha se “Kosova ka bërë një progres të qëndrueshëm”, derisa shtoi se “ka shumë punë për t’u bërë”.

“Plani i ri do të krijojë vende të reja pune, dhe qasjen apo hyrjen e juaj në BE”, shtoi ajo.