Von der Leyen e shqetësuar për variantin indian të Covid: Jemi në gatishmëri për të rikthyer masat shtrënguese

Shefja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen është shprehur se BE ndodhet në një “nivel të lartë gatishmërie” teksa ndodhet në survejim të zhvillimeve të fundit në lidhje me variantin indian të koronavirusit që është përhapur së tepërmi në Mbretërinë e Bashkuar dhe në disa vende të Unionit, duke rrezikuar rikthimin e një vale tjetër infektimesh.

Shqetësimin në lidhje me këtë variant e ka shprehur edhe kancelarja gjermane Angela Merkel së bashku me presidentin francez Emmanuel Macron në samitin e BE të ditës së djeshme. Von der Leyen me anë të një mesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale ka nënvizuar se Unioni është i gatshëm të ndërmarrë veprime të koordinuara për të parandaluar përhapjen e këtij varianti, duke mos përjashtuar mundësinë e rikthimit të masave anti-COVID.

“Variantët e rinj po përhapen me shpejtësi, veçanërisht varianti ‘delta’. Për këtë arsye na duhet të koordinojmë masat e ri-hapjes, ose rrezikojmë të zhbëjmë progresin e bërë deri tani. Lajmi i mirë është: vaksinat funksionojnë. Le të përshpejtojmë vaksinimet edhe më shumë”- ka shkruar ajo.

Sipas të dhënave të Brukselit, rreth 60% e mazhorenëve që janë qytetarë të BE kanë marrë më së paku një dozë të vaksinave anti-COVID. Studimet shkencore flasin për transmetueshmëri më të lartë të variantit indian dhe imunitet më të ulët për ta luftuar, por marrja e të dyja dozave të vaksinës është mbi 90% efektive në mbrojtjen ndaj këtij varianti.

Rikthimi i masave do të rrezikonte mbylljen e kufijve, teksa ditët e fundit gjithnjë dhe më shumë shtete të BE i kanë hapur dyert udhëtarëve nga Shqipëria. Gjermania ka propozuar karantinimin e të gjithë shtetasve britanikë që hyjnë në BE për të parandaluar përhapjen e variantit, por propozimi është refuzuar nga kryeministri grek Kiriakos Micotakis, i cili mbron interesat e sektorit turistik grek që përfiton nga qindra mijëra vizitorë britanikë gjatë sezonit të verës.