Von Cramon thotë se liberalizimi i vizave për Kosovën është vonuar

Von Cramon ka treguar se brenda LDK-së ka forca të arsyeshme dhe mençura. 

Ka përmendur kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani, por e cila sipas saj, është mënjanuar gjatë javëve të fundit.

“Dhe kjo nuk do të duhej të ndodhte, për shkak se shumë të rinj, brezi i ri ka votuar për të për të dhënë shpresë, për t’i dhënë këtij shteti një të ardhme më të mirë. Për ta tejkaluar brezin e vjetër, strukturat e korruptuara. Dhe tash, ashtu duket, të vjetrit e morën kontrollin, e shtynë atë mënjanë, dhe bënë çfarë deshën. Kjo mua më duket si një grusht shtet se përse do të duhej njerëzit të dilnin sërish në zgjedhje kur lëvizje si kjo janë të mundura, duke e injoruar thjesht vullnetin e votuesit”, u shpreh raportuesja e Parlamentit Evropian, von Cramon në intervistën dhënë në emisionin “Desku”.

“Ka mungesë kredibiliteti te klasa politike në përgjithësi dhe kjo për mua, si politikane, që kërkon forcimin e institucioneve demokratike jo vetëm në Kosovë por në përgjithësi, ky është problem i madh”.

Diplomatja gjermane u shpreh se Kosova ka kohë që ka përmbushur kriteret teknike dhe se liberalizimi i vizave për kosovarët është vonuar.

Ajo shpresonte që gjatë vizitës që Kurti duhej ta bënte në Gjermani, e që nuk ndodhi shkaku i pandemisë së koronavirusit, të merrte sinjale pozitive.

Gjermania do të jetë kryesuese e radhës e BE-së nga mesi i vitit.

“Z. Kurti kishte për ta vizituar znj. Merkel të hënën e shkuar. Për fat të keq për shkak të krizës, kjo nuk qe e mundur. Shumë shpresoja ase gjatë kësaj vizite do të merreshin sinjalet e para se kurrë do të mundte Kosova, më në fund, ta arrinte pikën ku Berlini dhe të gjithë anëtarët e tjerë të BE-së do ta jepnin dritën e gjelbër. Për shkak se Kosova, dhe këtë krejt e dinë i ka përmbushur krejt kriteret teknike kurse heqja e regjimit të vizave është vonuar shumë. Ne në Parlamentin Evropian kemi

votuar, Komisioni Evropian e ka dhënë dritën e gjelbër, dhe është punë e Këshillit tash. Natyrisht se nisja e kryesimit të BE-së nga Gjermania me 1 korrik do të ishte ideale për t’ia nisur me këtë liri dhe qasje për në BE. Tash me krizën në Kosovë dhe me krizën Korona, të gjitha mbesin të paqarta. Nuk mund të prognozoj se si do të shkojë, porse unë do të luftoj për liberalizimin e vizave sa më shpejt që të mundem dhe me gjitha mundësitë që i kam”, tha tutje ajo.

Sipas saj, njerëzit në Kosovë nuk kanë pse vuajnë për shkak se e kanë qeverisjen e dobët, e cila mund të vazhdojë për një kohë porse populli, qytetarët e meritojnë regjimin pa viza sikurse krejt shtetet në Ballkanin Perëndimor.

“Kështu mendoj, dhe kështu kam menduar përherë”, tha ajo.

Ajo është e lumtur që në Kosovë ka një brez të ri që është i gatshëm të luftojë korrupsionin.

“Shtylla tjetër e madhe është lufta kundër korrupsionit; lufta kundër kapjes së shtetit; lufta ndaj nepotizmit; lufta kundër vjedhjes së parave të buxhetit. Kjo është shtyllë e madhe që shpresoj se nuk do të bjerë nën tavolinë kur qeveria e re të krijohet, me shpresë shpejt”, tha ajo.