Von Cramon: Gabimi më i madh i Kosovës në 2021 ishte rrëzimi i Qeverisë Kurti

Eurodeputetja gjermane Viola von Cramon e sheh Kosovën para sfidave të mëdha vitin e ardhshëm. Zgjedhjet e ardhshme duhet të sjellin stabilitet politik që të fillojë puna me listën e gjatë të reformave.

“Besoj se ishte gabim i madh, që u rrëzua qeveria më 25 mars. Shumë në perëndim e komentuan atëherë kështu, dhe ne të gjithë e kritikuam që nuk është ide e mirë të rrëzosh në kohë pandemie një qeveri, që deri atëherë kishte bërë një punë të mirë e shumë njerëz ishin të kënaqur. U duk që në fillim, se do të bëhej e vështirë të gjendej një shumicë për ndërrimin e qeverisë apo zgjedhjen e kryeministrit të ri. Gjykata Kushtetuese konfirmoi atë që e thanë që në fillim shumë vetë, që kjo zgjedhje nuk ishte kushtetuese, edhe nën atë rrethanë që u lejuan në votim, persona që ishin dënuar. Këtë pohim nuk e kisha bërë më parë, sepse në fillim është mirë të thonë fjalën e tyre gjykatat. Për mua është për të ardhur keq, që Gjykatës Kushtetuese iu desh shumë kohë për këtë” është shprehur ajo.

Më poshtë intervista e plotë:

Deutsche Welle: Gjykata Kushtetuese në Kosovë e shpalli të pavlefshme zgjedhjen e qeverisë Hoti që do të thotë zgjedhje të reja. Le ta përmbledhim krizën e shumëfishtë të vendit – dy qeveri në kohë pandemie, një president të dorëhequr, mosmiratim ligjesh të nevojshme pasi qeveria nuk kishte shumicë në parlament, ngecje e integrimit, ngecje e gjatë e dialogut, probleme të thella ekonomike, pa harruar problemet e pazgjidhura politike. Po shkon Kosova në drejtim të një shteti të dështuar?

Viola von Cramon: Nuk do thoja kështu. Natyrisht ato çfarë numëruat ju qëndrojnë dhe gjendja faktike mbetet një sfidë, por le të nisim nga fillimi. Besoj se ishte gabim i madh, që u rrëzua qeveria më 25 mars. Shumë në perëndim e komentuan atëherë kështu, dhe ne të gjithë e kritikuam që nuk është ide e mirë të rrëzosh në kohë pandemie një qeveri, që deri atëherë kishte bërë një punë të mirë e shumë njerëz ishin të kënaqur. U duk që në fillim, se do të bëhej e vështirë të gjendej një shumicë për ndërrimin e qeverisë apo zgjedhjen e kryeministrit të ri. Gjykata Kushtetuese konfirmoi atë që e thanë që në fillim shumë vetë, që kjo zgjedhje nuk ishte kushtetuese, edhe nën atë rrethanë që u lejuan në votim, persona që ishin dënuar. Këtë pohim nuk e kisha bërë më parë, sepse në fillim është mirë të thonë fjalën e tyre gjykatat. Për mua është për të ardhur keq, që Gjykatës Kushtetuese iu desh shumë kohë për këtë.

Domethënë të gjithë e dinin dhe prisnin deri kur kjo qeveri do të dështonte?

Prandaj është problem, kur ky vendim shtyhet gjashtë muaj e kjo nuk i ndihmon askujt. Nga ana tjetër mbajtja e zgjedhjeve në kohë pandemie sigurisht nuk është gjë e lehtë. Tani vendimi ka dalë, por unë ende nuk kam folur me zonjën Osmani dhe nuk kam parë njoftime për shtyp se kur do të mbahen zgjedhjet. Pra na duhet një datë për zgjedhjet e parlamentit e natyrisht para fundit të prillit do duhet të zgjidhet presidentja apo presidenti i ri. T’i bësh të gjitha këto në kohë pandemie, në kohën kur gjendja ekonomike është vështirësuar, e në një situatë, kur të gjithë presin nga Kosova rezultate në drejtim të dialogut, nga ana politike nuk është e lehtë, kjo është e qartë.

Janë javët më të vështira për Kosovën momentalisht, si në drejtim të pandemisë edhe të zhvillimeve të politikës, por çfarë mund të ofrojë BE konkretisht që gjendja të mos përkeqësohet?

Kosova po merr mbështetje të madhe ndërkohë për sa i përket efekteve të pandemisë, por natyrisht mbetet pyetja, a ka marrë qeveria të gjitha masat e duhura, me qëllim që shifrat e infektimeve të mos rriten më. Kemi dëgjuar, se aparatet e intubimit kanë mbërritur, por pjesërisht është e vështirë të gjesh mjeke, mjekë apo forca të infermierisë të specializuar që t’i përdorin ato, pra teknika vetëm nuk mjafton. Sigurisht në drejtimin ekonomik BE do të ndihmojë, edhe në drejtim të organizmit të zgjedhjeve. Edhe këtë herë do të jetë kështu, BE do të ndihmojë, por si edhe në ç’formë kjo do të përcaktohet së afërmi.

Çfarë prisni nga zgjedhjet e parakohshme?

Shpresoj që këto zgjedhje të sjellin aq stabilitet, që të mos kemi çdo vit zgjedhje të reja, e që të fillojnë reformat që presin prej një kohe të gjatë; reforma në lidhjen me ligjin zgjedhor, reforma në drejtësi, ajo në lidhje me luftën kundër korrupsionit. Domethënë e gjitha kjo listë me reformat që duhen kryer, kjo është ajo që është emergjente. Kemi nevojë për marrëdhënie të stabilizuara, nuk kemi nevojë për gjendje autoritare si në Serbi, këtë jo, por marrëdhënie, ku njerëzit të kuptojnë, se po qeveriset. Që ata të ndjehen të përfaqësuar në politikën e jashtme dhe ta kuptojnë, se reformat në vend kanë filluar.

Këto do të jenë zgjedhje pa dy politikanët e vjetër në politikë, Thaçi e Veseli, pasi ata ndodhen në Hagë, pas ngritjes së akuzave për krime lufte. Do të ketë kjo ndonjë ndikim?

Këto janë çështje personeli të partive të caktuara, mendoj se PDK do të riformartohet në drejtim të personelit, kjo pritej. Mendoj se PDK ka politikanë drejtues në radhët e saj për t’u paraqitur në zgjedhjet e ardhshme. Por kjo është një çështje e brendshme e vetë partisë.

Dialogu me Serbinë rifilloi këtë vjeshtë, por arritja e një marrëveshjeje duket e largët, po të kujtosh deklarata të Vuçiçitm si ajo së fundmi, se Serbia nuk do ta njohë Kosovën, sa kohë të jetë ai president. E çfarë do të qëndrojë atëherë në fund të marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, për të cilën po angazhohet edhe BE, nëse jo njohja e Kosovës?

Po, sigurisht që kështu do të ndodhë, por natyrisht mbetet pyetja ç’formë do të ketë një njohje e dyanshme, çfarë do të ketë brenda paketa e përgjithshme, si duhet të formësohet kjo, me qëllim që Serbia të bjerë dakord, e kjo natyrisht do duhet të negociohet si duhet kur të kemi një qeveri të re në Kosovë. Por nuk besoj se kjo ka për të qenë fjala e fundit e përfaqësuesve qeveritarë serbë. Në këtë pikë do mbetesha optimiste, sepse edhe presidenti serb e di, se vetëm me një njohje të dyanshme e njohje të Kosovës ka një rrugë për në BE. Ai ka një interes të madh, që të ketë integrim të Serbisë në BE.

Përveç problemeve aktuale, ka një problem të pazgjidhur që e ka izoluar Kosovën, mosliberalizimi i vizave, kosovarët janë të lodhur në pritje të liberalizimit. A pritet diçka e re vitin e ardhshëm?

Është për të ardhur keq që gjatë presidencës gjermane të BE nuk u bë gjë në këtë drejtim dhe unë shpesh e kam ngritur zërin, se është mëse i vonuar liberalizimi i vizave. Ka rezerva për këtë, por ato nuk janë në Berlin, por në Paris, pjesërisht në Holandë. E këtu shtrohet pyetja, çfarë mund të bëjë qeveria e Kosovës, për t’i hequr këto shqetësime. Ishte një veprim i mençur, që tani po zhvillohen bisedime bilaterale me qeverinë franceze, për të treguar, se ajo që është e rëndësishme për qeverinë franceze, për Macron po regjistrohet nga qeveria e Kosovës dhe shqetësimet po trajtohen një për një, me reforma, që do të tregohen me prova. E në këtë pikë shpresojmë që edhe francezët të japin dritë të gjelbër e nëse çdo gjë shkon mirë ta miratojmë liberalizimin e vizave vitin e ardhshëm.