VOA: Mali i Zi refuzon kërkesën e Beogradit për hapjen e tre qendrave të votimit për zgjedhjet në Serbi

Ministria e Jashtme e Malit të Zi refuzoi kërkesën e ambasadës serbe në Mal të Zi për hapjen e tre qendrave të votimit për zgjedhjet e 3 prillit në Serbi.

Vendimi u njoftua nga kryeministri malazez Zdravko Krivokapiç, pas kritikave të ashpra kundër tij nga partitë pro-serbe në Mal të Zi dhe nga zyrtarët e lartë të Beogradit.

Sipas një njoftimi të lëshuar të hënën nga zyra e kryeministrit Krivokapiç, Ministria e Jashtme malazeze kishte vendosur të refuzonte kërkesën e ambasadës serbe pa e njoftuar kryeministrin dhe shumicën e ministrave në qeveri.

Ata thanë se qeveria e udhëhequr nga zoti Krivokapiç, nuk ka marrë vendim për hapjen e qendrave të votimit në Mal të Zi, ku do të votonin qytetarët serbë që aktualisht jetojnë në vend.

“Vendimi i Ministrisë së Jashtme për të refuzuar kërkesën e Ambasadës së Republikës së Serbisë për hapjen e qendrave të votimit në Berane, Sutomore dhe Budva, për procesin e zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, parlamentare dhe lokale që pritet të mbahen më 3 prill në Serbi, është bërë nga ministri i jashtëm, Gjorgje Raduloviç”, thuhet në deklaratën e zyrës së kryeministrit.

Partia pro-serbe, Fronti Demokratik kritikoi kryeministrin Zdravko Krivokapiç dhe ministrin Gjorgje Raduloviç për vendimin, duke thënë se ata po mundohen të pengojnë qytetarët serbë që jetojnë në këto komuna të marrin pjesë në zgjedhje.

“Ky është një vazhdim i politikës antiserbe. Kjo është veçanërisht e vërtetë nëse kemi parasysh se, ditë më parë, zëvendëskryeministri Dritan Abazoviç i ka kërkuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, grurë dhe misër. Poashtu duhet kujtuar se vaksinat e para kundër COVID-19 kanë ardhur pikërisht nga Serbia, me pëlqimin dhe vullnetin e mirë të presidentit të Serbisë”, thuhet në deklaratë të Frontit Demokratik.

Ndërkohë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq paralajmëroi në lidhje me këtë se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare “Mali i Zi do të marrë përgjigjen e Serbisë të martën, që do të jetë me pasoja të gjera”./VOA