Vlora Çitaku tregon përfundimisht se a do të jetë kandidate për kryetare të PDK’së

Ish ambasadorja, Vlora Çitaku ka thënë se nuk do jetë pjesë e garës për kryetare të PDK’së në zgjedhjet e partisë që pritet të mbahen me 3 korrik.

Këtë Çitaku e tha mbrëmë në Klan Kosova, derisa shtoi se ky vendim vjen si rezultat i shkëputjes së gjatë që kishte nga strukturat e këtij subjekti.

“Përgjigjja e shkurtë është jo. Nuk do të jem kandidate për kryetare të PDK-së dhe jo pse i frikësohem garës, e as pse entuziazmohem nga sondazhet, ndonëse është ndjenjë e mirë kur pëlqehesh nga publiku, por vendimet nuk i marr mbështetur nga ato premisa. E thashë në fillim që PDK-së nuk i duhet shpëtimtari, mesia, ky lloj koncepti i të menduarit politik duhet të çrrënjoset nga skena politike kosovare. Kosova nuk ka nevojë për gra të forta dhe burra të fortë, Kosova ka nevojë për institucione të forta dhe partitë politike janë institucione”, ka thënë ajo.

Por Çitaku shtoi se e kishte menduar gjatë se a duhet t’i futet garës për të parën e partisë.

“Për të qenë korrekte në raport me ata që vërtetë synojnë t’i hyjnë garës, unë nuk do të lë terren, por do të angazhohem fuqishëm dhe fakti që nuk garoj në këtë konventë është sepse unë kam qenë tërësisht e shkëputur nga strukturat e PDK-së dhe më është dukur pak arrogante nga ana ime që t’ia ofroj veten si alternativë në një kohë kur nuk jam pjesë e strukturave të PDK-së. Në këto shtatë vjet, PDK i ka mbajtur dy konventa, ka njerëz të ri, ka ndryshime me të cilat duhet të familjarizohem dhe po mendoj që tani nuk është momenti për mua, jo pse i frikësohem garës, por nuk do të doja që PDK-ja të përcaktohet për kandidatin/kandidaten si rezultat i presionit publik”, ka thënë tutje Çitaku.

Derisa tha se mbase pas dy vitesh do kandidojë për kryetare të kësaj partie.

“Unë do të kyçem aktivisht në PDK dhe po e lë të hapur mundësinë që në zgjedhjet e ardhshme të garoj, por tani për tani kam nevojë të familjarizohem”, u shpreh në fund Çitaku.